Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar me rastin e shënimit të 1-vjetorit të fillimit të agresionit rus ndaj popullit dhe shtetit të Ukrainës.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Krasniqi ka thënë se qëndrueshmëria dhe shpirti luftarak i ukrainasve ka fituar zemrat e të gjithë botës demokratike dhe popujve liridashës.
“Në një vjetorin e luftës në Ukrainë, respektivisht agresionit të paprovokuar të Rusisë ndaj këtij vendi, shprehim solidarizimin dhe mbështetjen e plotë për popullin ukrainas dhe presidentin Zelensky. Qëndrueshmëria dhe shpirti luftarak i ukrainasve ka fituar zemrat e të gjithë botës demokratike dhe popujve liridashës”, shkroi ai.
Tutje kreu i PDK-së ka thënë se popujt të cilët luftojnë për të drejtën e tyre, për tokën e tyre, dalin gjithmonë triumfues, teksa ka shprehur mbështetjen e Kosovës ndaj Ukrainës në këto ditë të vështira.
“Historia na ka treguar vazhdimisht se popujt të cilët luftojnë për të drejtën e tyre, për tokën e tyre, dalin gjithmonë triumfues. Uroj që ky agresion i cili ka marrë jetën e mbi 8 mijë civilëve ukraianas deri më sot, prej tyre 487 fëmijëve, të përfundojë sa më parë. Kosova është me ju. Slava Ukraini!”, tha tutje Krasniqi.
Ndryshe, sot është bërë saktësisht një vit nga ngjarja që ndryshoi botën – fillimi i pushtimit rus të Ukrainës.
Në agresionin brutal rus kundër Ukrainës, mijëra njerëz vdiqën, miliona u zhvendosën dhe qytetet ukrainase u shkatërruan, ekonomia u rikthye me dekada prapa. Një vit më vonë, nuk ka asnjë shenjë paqeje. Gjithçka tregon për një luftë të zgjatur dhe gjithnjë e më të përgjakshme.
Postimi i plotë: