Jakup Krasniqi nuk është prekur nga etiketimet që i erdhën nga bashkëthemeluesit e PDK’së, pasi ai thotë se ata treguan karakterin dhe edukatën e tyre.
Në një intervistë për Kohavisionin, Krasniqi ka folur në detaje për prapaskenat brenda PDK-së pas zgjedhjeve të 2010-ës, kohë kjo kur nisi edhe shtrirja e ndikimit të Kadri Veselit brenda PDK-së, e cila fitoi zgjedhjet për herën e dytë, ndikim i cili sipas Krasniqit, vinte nëpërmjet Hashim Thaçit.
Pavarësisht që ishte sekretar i Partisë Demokratike të Kosovës, Krasniqi thotë se nuk ka qenë në dijeni për lojën e punësimeve që bëheshin, përveç faktit se të emëruarit në borde e agjenci shtetërore nuk vinin nga PDK-ja, por nga SHIK-u.
Ndonëse në përgjimet e “dosjes së shefave”, Krasniqi shihet si pengesë për të arritur qëllimet e “klanit”, ai thotë se ka bërë vetëm punën e tij, duke respektuar procedurat ligjore.
Ish-kreu i Kuvendit flet edhe për demarkacionin me Malin e Zi, i cili sipas tij, është dashur të bëhet në bazë të hartave kufitare të vitit 1945-46, kohë kjo kur Serbia ndau kufirin mes saj dhe Malit të Zi.