Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi, ka reaguar ndaj deklarimeve të zyrtarëve serbë të cilën barazuan kërkesën për pavarësi të Katalonisë me atë të Kosovës. Krasniqi tha se këtu vetëm dëshira për pavarësi e të dy popujve mund të jetë deri diku e barabartë.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook ai ka shpjeguar arsyet përse rasti i Katalonisë nuk është i njëjtë me atë të Kosovës.
“Shqiptarët e Kosovës veç pavarësisë, përpjekje të tyre shekullore, pas pushtimit nga Serbia (1912) dhe copëtimit të trojeve shqiptare nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër në verën e vitit 1913, kryeaspiratë kishin çlirimin dhe bashkimin e kombit. Ky fakt nuk ka ndodhur me Kataloninë”.
“Pra, krahasimi i pavarësisë së Kosovës me dëshirën e popullit të Katalonisë për pavarësi ka shenja barazimi, gjithçka tjetër është më shumë se e pakrahasueshme. Opinioni vendor dhe evropian ia vlen që t’i dijë dallimet e shumta që janë më shumë se të njohura, mes zhvillimeve që për një shekull kanë ndodhur në Kosovë, e që në asnjë mënyrë nuk mund të krahasohen me ato që gjatë të njëjtës periudhë kanë ndodhur në Kataloni”, ka shkruar Krasniqi.