Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se nuk është diskutuar ndonjëherë për përfshirjen e partisë së tij në Qeverinë Hoti.
“Nuk kemi diskutuar për përfshirjen e PDK-së në qeveri, nuk mendojmë që është për neve prioritet ajo çështje. Dhe e dimë po ashtu që do të ketë një moment kur duhet të mendojmë për zgjedhje”, ka thënë ai.
Ai është pyetur për arsyet se përse partia e tij nuk po futet në qeveri.
“Realisht, kur më kanë pyetur herën e parë për këtë çështje, e thashë që fakti që po diskutohet kjo punë është problem i qeverisë. Sepse në një situatë normale, kjo s’do të duhej të diskutohej”, ka thënë ai në DESKU të KTV-së.
Si ka thënë Krasniqi, të kesh problem me qeverinë në një situatë kur kemi krizë ekonomike në thellim e sipër, me një rënie që mund të jetë deri në 10 për qind të GDP-së këtë vit, me shumë paqartësi në vitin 2021, ekonomikisht të jashtëzakonshme. Por, unë frikësohem që vala e dytë e pandemisë mund të jetë jashtëzakonisht e rënduar dhe me dëme të mëdha në kuptimin shëndetësor, me sfidat që shfaqen në aspektin ndërkombëtar; dhe kur i ke të gjitha këto, realisht do të dëshironim të kishim një qeveri stabile”, ka thënë ai.
Si ka thënë Krasniqi, partia e tij nuk ka ndonjë preferencë, duke përmendur kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti ose ish-kryeministrin, Albin Kurti.
“Këto janë çështje që ata i kanë sjellë këtu, nuk i kemi sjellë ne si PDK. Dhe do të luanim rolin tonë korrektues dhe kontrollues si opozitë”, ka thënë ai.