Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, bashkë me inspektorë të tregut ka qëndruar sot në Terminalin doganor në Prizren.
Pas takimit me drejtuesit rajonal të doganës, janë marrë mostrat e naftës në pesë maune për të vërtetuar nëse cilësia e derivateve është në përputhje me parametrat që i përcakton ligji.
Ministri, Krasniqi ka thënë se në vazhdën e disa inspektimeve sot është vendos që kontrolli i naftës të bëhet para se ai të shkarkohet nëpër pompa të derivateve për t’u kuptuar se çfarë cilësie po futet në tregun e Kosovës.
“Ne si institucione shtetërore kemi obligim që t’i sigurojmë qytetarët për cilësinë e produkteve që janë në treg. Sot vendosëm që ta vizitojmë këtë terminal për t’u marrë kryesisht me derivatet e naftës ku inspektorët morën mostrat nga 5 maune për t’u kontrolluar cilësia e derivatit”, ka deklaruar ministri Krasniqi.
Në takim me përfaqësuesit e Doganës së Kosovës, doganierët kanë treguar për vështirësitë me të cilat ballafaqohen prej kur kompetencat për kontrollin e cilësisë dhe analizave i janë bartur këtij institucioni.
Ministri Krasniqi ka thënë se do të shqyrtohen mundësitë për të parë nëse duhet që kjo kompetencë t’i kthehet Inspektoratit të Tregut në kuadër të MTI-së.
“Konsiderojë se Inspektorati Tregut, që vepron në kuadër të MTI-së, është më i përgatitur me ekspertë të fushave të ndryshme dhe mund ta kryen me profesionalizëm kontrollin e cilësisë së derivateve të naftës ashtu siç kontrollon shumë produkte të tjera. Një gjë të tillë e kanë bërë shumë kohë dhe pos përvojës në këtë inspektorat ka edhe ekspertë shumë mirë të përgatitur për këtë punë. Ne do t’i shqyrtojmë mundësitë nëse duhet që kjo kompetencë t’i kthehet Inspektoratit të Tregut në kuadër të MTI-së”, ka theksuar ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi.
Vitin e kaluar inspektorët e MTI-së kanë marrë 940 mostra të derivateve të naftës, ku 56 prej tyre nuk kanë qenë në përputhje me parametrat e lejuara.