Ka vite të tëra që gjendja në Telekomin e Kosovës është jostabile. Kjo gjendje është si pasojë e borxheve të mëdha në të cilat është futur kjo ndërmarrje publike. Për shkak të saj ka bërë që bordi i Telekomit të hartojë një dokument për Qeverinë e Kosovës, ku tregohen hapat konkret për të shpëtuar Telekomin nga falimentimi dhe humbja e vendeve të punës për 2300 të punësuarit e saj.
Në dokumentin e siguruar nga Telegrafi me titull “Strategji për dalje nga gjendja emergjente – Telekomi Sh.A” tregohet gjendja momentale, masat të cilat i kanë propozuar, investimet emergjente të cilat duhet të bëhen si dhe tregohen mënyrat për t’i inkasuar borxhet.
“Duke e pasur parasysh që gjendja financiare në Telekomin e Kosovës nuk është stabile, dhe duke e parë pasigurinë për të ardhmen e punëtorëve, ky dokument prezanton gjendjen momentale dhe përmban propozime për të siguruar një tejkalim sa më të lehtë të gjendjes emergjente”, theksohet në dokumentin e përgatitur nga Bordi i Telekomit të cilën e posedon Telegrafi.
Në këtë dokument tregohen edhe humbjet të cilat është duke i pësuar Telekomi si dhe shuma e borxheve, e cila e kalon 60 milionëshin.
“Telekomi vitin 2017 e ka mbyllur me afërsisht 14 milionë euro humbje, tremujori i parë i vitit 2018 është mbyllur me 4.2 milionë euro humbje, ndërkaq borxhet aktuale kapin vlerën mbi 60 milionë euro, derisa kapitali i korporatës është vetëm 34 milionë euro”, tregohet në dokument strategjinë dërguar aksionarit të Telekomit.
Bordi ka propozuar edhe investime emergjente të domosdoshme në mesin e të cilave është edhe marrja e një kredie në shumë prej 30 milionë euro në banka, ku garantuese e kredisë për Telekomin do të ishte Qeveria e Kosovës.
“Sigurimi i financimit përmes kredisë në vlerë prej 30 milionë euro, mjete të cilat do të orientohen për realizimin e investimeve, siç janë: Implementimi i kodit +383, sigurimi i infrastrukturës për përgjime ligjore, zëvendësimi i bërthamës se rrjetit me kapacitete përcjellëse konform kërkesave të përdoruesve, zgjerimi i infrastrukturës së rrjetit në aspektin e mbulueshmërisë së tregut dhe zgjerimi në rrjetin fikës me qëllim të rritjes së konsumatorëve”, theksohet në dokumentin e bordit.
Sipas bordit zbatimi i këtyre masave do të kishte efekt të menjëhershëm në uljet e shpenzimeve, ku vetëm implementimi i kodit +383 do të ulte shpenzimet prej rreth 3.3 milionë euro në baza vjetore, shkruan Telegrafi.
Bordi i Telekomi ka treguar edhe për borxhet që ka ndaj Telekomit të Kosovës. “Zyra Ligjore e Telekomit i ka thënë prioritet emergjent për të proceduar lëndët e vjetra të borxhit ndaj Telekomit.
“Sipas analizave afër 10 milionë euro borxhe janë në procese gjyqësore. Inkasimi i mjeteve nga procesi gjyqësor për mjetet e depozituara në Bankën Kreditore të Prishtinës (BKP), e cila në vitin 2006 është marrë nga Likudatori, për shkak të kohëzgjatjes së procedurave gjyqësore Telekomi ende nuk është kompensuar, ku borxhi i mbetur është 11 milionë euro”, thekson dokumente.
Po ashtu bordi ka dhënë opsione edhe për uljen e shpenzimeve operative duke përfshirë edhe rinegocimin e kontratave për qira me Postën e Kosovës.
Po ashtu Qeverisë i është kërkuar që Telekomit t’i Kthehen në shfrytëzim ose në pronësi objektin kryesor në lagjen Dardani në Prishtinë.
Bordi ka dhënë propozime edhe për uljen e sponsorizimeve, reklamimeve, donacioneve si dhe përkrahjen e projekteve të ndryshme ku Telekomi viteve të fundit ka shpenzuar miliona euro.
Po ashtu në dokumentin të cilin e posedon Telegrafi, Bordi i Telekomit ka kërkuar zbatimin e marrëveshjes me Ministrinë e Administratës Publike (MAP), që institucionet e Kosovës të marrin shërbimet e telefonisë mobile dhe fikse nga kjo ndërmarrje.
“Pavarësisht kontratës që Telekomi ka me MAP-in, e cila u mundëson institucioneve që të marrin shërbimet e Telekomit të Kosovës, një numër i konsiderueshëm i tyre ende përdorin shërbimet e kompanive të tjera private. Sipas hulumtimeve nëse institucionet e Republikës së Kosovës do të shfrytëzonin shërbimet e Telekomit, atëherë do të kishim të hyra direkte vjetore , mbi 5 milionë euro, pa llogaritur të hyrat indirekte të cilat mund të shkojnë në mbi 7 milionë euro të hyrat vjetore”, thuhet në dokumentin e Bordit të Telekomit “Strategji për dalje nga gjendja emergjente – Telekomi Sh.