Kreditë në Bankën Raiffeisen rriten për 12 për qind

Prishtinë | 15 Mar 2017 | 14:31 | Nga

Shifrat e prezantuara në vijim janë preliminare dhe të bazuara në standardet e raportimit financiar të Bankës Qëndrore të Republikës së Kosovës.

Sipas rezultateve preliminare të vitit 2016, Banka Raiffeisen në Kosovë njofton se ka shënuar rritje në pothuajse të gjithë treguesit financiarë. Kreditë dhe paradhëniet për klientë janë rritur për 12 për qind duke arritur shifrën prej 480 milionë euro (2015: 427 milionë euro).

Depozitat e klientëve ishin 725 milionë euro, që paraqet një rritje për 7 për qind në krahasim me 674 milionë Euro sa ishin në vitin 2015. Edhe asetet e përgjithshme shënuan rritje për 6 për qind në krahasim me vitin paraprak duke arritur shifrën prej 863 milionë euro (2015: 810 milionë euro).

E gjithë kjo ka kontribuar që Banka Raiffeisen në Kosovë të arrijë profitin neto prej 23 milionë euro për periudhën e raportuar.

“Viti 2016 ka qenë një vit mjaft i suksesshëm për Bankën Raiffeisen në Kosovë. Dua ta theksoj se krahas qasjes sonë të kujdeshme ndaj kreditimit, kreditë dhe paradhëniet për klientë janë rritur për 53 milionë Euro ose 12 për qind në krahasim me vitin paraprak. Edhe treguesit tjerë financiarë dëshmojnë një rritje të qëndrueshme të Bankës dhe pasqyrojnë besueshmërinë e klientëve tanë. Ndërsa, likuiditeti i tepërt vazhdon të mbetet një sfidë për ne por edhe për sektorin bankar të Kosovës”, tha Robert Wright, drejtor ekzekutiv i Bankës Raiffeisen në Kosovë.

Një nga synimet e Bankës gjatë vitit 2016 ishte edhe promovimi i kanaleve alternative bankare, duke përfshirë këtu shërbimet elektronike dhe VISA Bonus kartelën e cila ju mundëson klientëve  pagesat me këste pa interes.

480 000 transaksione individuale janë shënuar përmes E-Banking, një rritje prej 26 për qind në krahasim me vitin 2015. Edhe përdorimi i shërbimeve bankare përmes telefonit është dyfishuar ndërsa pagesat e kryera përmes telefonit janë rritur për 70 për qind. Gjatë vitit 2016, Banka Raiffeisen ka pasur 808 punonjës të cilët ju kanë ofruar shërbime bankare klientëve përmes 50 degëve dhe nëndegëve në gjithë Kosovën.

Sa i përket përgjegjësisë sociale, Banka i ka adaptuar dhe aprovuar standardet dhe udhëzimet e International Finance Corporation (IFC) për menaxhimin e riskut të ambientit si pjesë të politikave të brendshme që nga fillimi i vitit 2016. Është vazhduar me përkrahjen e shëndetësisë duke ofruar pajisje në vlerë prej 50 000 euro për gjashtë spitalet rajonale në Kosovë si dhe me projektet ekzistuese siç janë” “Pri Film Fest”, “Chopin Piano Festival”, Galeria Kombëtare – ekspozita e “Muslim Mulliqi”, Teatri Profesional në Ferizaj, “Artistët e së nesërmes”, “Atomi” etj.

Ndërsa, si iniciativë e re të cilën Banka e ka ndërmarrë gjatë vitit 2016 ka qenë improvizimi i një hapësire në qendrën tregtare “Albi Mall”, e cila iu mundëson artistëve të rinj të promovojnë punimet e tyre.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme