Krehiç: Mund të ketë ende lokacione të pazbuluara të personave të zhdukur

Prishtinë | 26 Gus 2026 | 14:39 | Nga Ekonomia Online

Edhe pas 27 vjetësh nga përfundimi i luftës, zbulimi i varrezave të reja dhe i mbetjeve mortore tregon se Kosova ende nuk e ka mbyllur një nga plagët më të rënda të saj. Rreth 1 mijë e 700 persona vazhdojnë të figurojnë të zhdukur, ndërsa çdo informacion, çdo dokument apo dëshmi e pathënë mund të jetë çelësi për zbardhjen e fatit të tyre.

Përfaqësuesja e Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) për Rajonin e Ballkanit Perendimor Samira Krehiç, në një intervistë për Radio Kosovën, thotë se koha po punon kundër këtij procesi, pasi dëshmitarët po humbasin dhe informacionet po bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u siguruar. Ajo bën thirrje që çështja e të zhdukurve të depolitizohet dhe të trajtohet si prioritet humanitar dhe i të drejtave të njeriut.

Pra, 27 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, rreth 1.700 persona ende figurojnë si të zhdukur. Pse ka qenë kaq e vështirë të përcaktohet fati i tyre edhe pas gjithë këtyre viteve?

Samira Krehiç: Faleminderit shumë për këtë pyetje. Mendoj se është e rëndësishme të kuptohet vetë procesi. Gjetja e personave të zhdukur dhe, mbi të gjitha, mbrojtja e të drejtave të familjeve të tyre, është një proces shumë kompleks që përfshin një numër të madh komponentësh dhe çështjesh të ndryshme – nga ato ligjore, institucionale, shkencore dhe financiare, deri te ato politike.Pra, sa herë që ndonjë nga këto elemente ndryshon, është e nevojshme që veprimi të përshtatet në të gjitha këto fusha, në mënyrë që të zvogëlohet ndikimi i këtyre ndryshimeve në vetë procesin e gjetjes dhe identifikimit të personave të zhdukur, si dhe në mbrojtjen e të drejtave të familjeve të tyre.Kalimi i kohës është gjithashtu një nga faktorët e rëndësishëm që nuk shkon në favorin tonë, sepse dëshmitarët vdesin, familjet shpërngulen, informacionet bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u mbledhur dhe për t’u konsoliduar nga burime të ndryshme, ndërsa interesi i përgjithshëm për çështjen e personave të zhdukur zbehet me kalimin e viteve.Natyrisht, procesin nuk e ndihmojnë as tensionet politike ndërmjet vendeve që kanë qenë të përfshira në konfliktet e armatosura. Edhe kjo e komplikon më tej procesin dhe dobëson bashkëpunimin, i cili është thelbësor për shkëmbimin e informacionit dhe gjetjen e këtyre varrezave.

Megjithatë, këto pengesa nuk e zvogëlojnë përgjegjësinë e autoriteteve dhe institucioneve vendore të përfshira në këtë proces për t’u dhënë familjeve përgjigje lidhur me zhdukjen e familjarëve të tyre dhe për të vazhduar përpjekjet për gjetjen e informacionit, hetimin e varrezave të mundshme dhe vetë procesin e identifikimit.Prandaj, do të thosha se ky është një proces kompleks, që varet nga shumë faktorë, por kjo nuk e zvogëlon në asnjë mënyrë obligimin e përgjithshëm ndaj familjeve.Organizata ime, ICMP-ja, ofron ndihmë shkencore dhe profesionale për këtë proces, ndërsa përpjekjet tona që procesi të vazhdojë dhe të sigurohet ndërtimi i kapaciteteve vendore vazhdojnë.

Së fundmi, në një fshat në Kalludër, në komunën e Zubin Potokut, janë zbuluar lokacione të reja me mbetje mortore njerëzore. Çfarë na tregon fakti që edhe sot vazhdojnë të zbulohen lokacione për të cilat dyshohet se lidhen me luftën?

Samira Krehiç: Fakti që së fundmi janë zbuluar varreza të reja na tregon se çështja e personave të zhdukur nuk është aspak çështje e së kaluarës. Fatkeqësisht, ajo vazhdon të rëndojë të tashmen e njerëzve që jetojnë në këto hapësira, rëndon marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet vendeve të rajonit, madje edhe stabilitetin e brendshëm dhe ndërtimin e një shoqërie moderne, të bazuar në respektimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve.Pra, kjo çështje është ende shumë e pranishme në realitetin tonë. Megjithatë, zbulimi i këtyre varrezave është inkurajues dhe gjithashtu shprehje e vullnetit politik të Qeverisë së Kosovës që procesi të vazhdojë, që të kërkohen në mënyrë aktive informacione dhe që veprimi i koordinuar i institucioneve vendore, secilit brenda kompetencave të veta, të sjellë rezultate.

A mendoni se në Kosovë dhe në Serbi mund të ketë edhe lokacione të tjera që ende nuk janë identifikuar ose hulumtuar?

Samira Krehiç: Bazuar në përvojën e deritanishme të gjerë të ICMP-së në këtë proces dhe në analizën e të dhënave që kemi, është reale të supozohet se ekzistojnë lokacione që ende nuk janë gjetur dhe hulumtuar. Prandaj, është shumë e rëndësishme analiza profesionale e të dhënave ekzistuese dhe bashkëpunimi ndërmjet të gjitha agjencive dhe institucioneve të përfshira në këtë proces. Gjithashtu, kanë rëndësi të jashtëzakonshme edhe mesazhet që i dërgohen publikut nga instanca të ndryshme të pushtetit. Nëse zbulimi i informacionit paraqitet si akt patriotizmi, e jo si akt tradhtie, dhe si një veprim që do të kontribuojë në krijimin e një shoqërie moderne dhe të qëndrueshme në rajon për brezat që vijnë, atëherë mund të presim një shtim të informacionit dhe zbulimin e varrezave të reja.

A mendoni se në Kosovë dhe Serbi ende ekzistojnë informacione ose dokumente që nuk janë të qasshme për publikun, por që mund të ndihmojnë në gjetjen e personave të zhdukur?

Samira Krehiç: Është reale të supozohet se po. Megjithatë, është shumë e vështirë të flitet për qasshmërinë e këtyre informacioneve për publikun. Informacionet duhet të mblidhen, të shqyrtohen dhe të analizohen nga institucionet profesionale dhe institucionet vendore kompetente. Vetëm atëherë, kur të kemi rezultate të besueshme shkencore, ato duhet të bëhen publike, në mënyrë që të mos krijohet një tablo e rreme apo pritshmëri joreale.Pra, është e rëndësishme që informacionet të ekzistojnë ose të vazhdojnë të mblidhen nga institucionet kompetente për këtë çështje.

A u obliguan Kosova dhe Serbia në vitin 2023 që të punojnë për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur? Si e vlerësoni bashkëpunimin e deritanishëm? A po ecën procesi përpara?

Samira Krehiç: Shikoni, për ICMP-në, që nga fillimi i veprimtarisë sonë, ne kemi mbështetur bashkëpunimin rajonal në zgjidhjen e çështjes së personave të zhdukur. Ky bashkëpunim ka ekzistuar për shumë vite, edhe para vitit 2023, ndërsa është formalizuar me themelimin e Grupit për Personat e Zhdukur në vitin 2018 në Hagë, pas nënshkrimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur në samitin e Procesit të Berlinit në Londër.Pra, Grupi për Personat e Zhdukur ekziston zyrtarisht që nga viti 2018 dhe mbledh përfaqësues të institucioneve kompetente për personat e zhdukur nga Kroacia, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova dhe Mali i Zi. Ai përfaqëson një platformë bashkëpunimi që respekton mekanizmat ekzistues dypalësh, por që ofron edhe një vlerë shtesë në shqyrtimin e çështjeve që janë të përbashkëta për të gjitha vendet anëtare.Grupi për Personat e Zhdukur ka krijuar gjithashtu një bazë rajonale të të dhënave për rastet aktive të personave të zhdukur nga territori i ish-Jugosllavisë. Kjo bazë u mundëson të gjitha palëve anëtare që në kohë reale të shohin statusin e rasteve të caktuara, por edhe çdo ndryshim që ndodh në cilindo vend anëtar lidhur me atë status.Ne gjithashtu organizojmë vazhdimisht takime shumëpalëshe, ku marrin pjesë konkretisht Kosova, Mali i Zi dhe Serbia, dhe ku shkëmbehen informacione për raste shumë specifike me interes të përbashkët. Në ditën e dytë të këtyre takimeve zakonisht bashkohen edhe familjet e personave të zhdukur, të cilat kanë mundësinë t’u parashtrojnë pyetje konkrete institucioneve kompetente.Pra, mekanizmi që ju përmendët, ai i Bashkimit Evropian, nuk është një risi në bashkëpunim, por funksionon në një kontekst tjetër. Ai është pjesë e një dialogu më të gjerë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku çështja e personave të zhdukur është vetëm njëra nga një varg çështjesh me të cilat merret ky mekanizëm. Mendoj se koha dhe rezultatet do ta tregojnë suksesin e këtij mekanizmi. Për familjet e personave të zhdukur, suksesi matet me rezultate konkrete, dhe pikërisht kjo është sfida më e madhe për pjesëmarrësit në këtë proces. Në këtë kuptim, pritjet janë me të drejtë të mëdha, por rezultatet do të varen nga vullneti politik i të gjitha palëve të përfshira për ta operacionalizuar këtë bashkëpunim, pra për ta vënë atë në funksion dhe, në fund, për të krijuar hapësirë për rezultate shumë konkrete.

A duhet që çështja e personave të zhdukur të trajtohet mbi të gjitha si një çështje humanitare dhe e të drejtave të njeriut, pra të mbrohet nga mosmarrëveshjet politike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit?

Samira Krehiç: Siç e thashë edhe më herët, gjetja e personave të zhdukur dhe dhënia e përgjigjeve familjeve për fatin e më të dashurve të tyre nuk është vetëm një imperativ humanitar. Kjo është gjithashtu një obligim që buron nga të drejtat e njeriut dhe përbën një tregues të rëndësishëm për çdo shoqëri demokratike.Pra, përcaktimi i së vërtetës, i bazuar në fakte, për fatin e personave të zhdukur, nuk u jep përgjigje vetëm familjeve të tyre, por edhe gjithë opinionit publik. Ai rikthen besimin e publikut te institucionet vendore, gjë që është përsëri një bazë për ndërtimin e një shoqërie të qëndrueshme.Vullneti politik është i domosdoshëm për të krijuar hapësirë për bashkëpunim, por vetë zgjidhja e rasteve individuale duhet të bazohet në angazhimin profesional dhe të paanshëm të institucioneve vendore, pa politizimin e procesit.Pra, politika, përkatësisht vullneti politik, është i nevojshëm, por politizimi i procesit është pengesë.

Sa është e rëndësishme që personat që mund të kenë informacione për vendndodhjen e varrezave të dalin dhe t’i ndajnë ato informacione, qoftë edhe në mënyrë anonime?

Samira Krehiç: nformacionet për lokacionet e mundshme të varrezave janë gjithmonë pikënisja e procesit. Për këtë arsye, ICMP-ja ka krijuar një aplikacion që u mundëson njerëzve të raportojnë në mënyrë plotësisht anonime lokacione të dyshimta dhe rrethanat e zhdukjes.Aplikacioni është publikisht i qasshëm përmes faqes sonë të internetit, por edhe përmes faqes së institucioneve vendore kompetente, përkatësisht Komisionit për Personat e Zhdukur.Është e rëndësishme të theksohet se personi që jep informacion përmes kësaj forme mund, nëse dëshiron, të mbetet plotësisht anonim, por gjithashtu mund të japë edhe të dhënat e veta përmes aplikacionit. Aplikacioni është shumë i thjeshtë për t’u përdorur.Pas pranimit të një informacioni të tillë, ne e verifikojmë atë duke përdorur mjetet më moderne, inteligjencën artificiale, bazat e të dhënave publike dhe burime të tjera. Përpiqemi ta plotësojmë informacionin, nëse është e mundur, duke verifikuar nëse ai lokacion ka qenë më parë i dyshuar, nëse aty kanë ndodhur aktivitete të caktuara dhe informacione të tjera relevante.Më pas, informacioni i përcillet institucioneve vendore kompetente për veprime të mëtejshme.Ky aplikacion quhet “Raporto një varrezë”. Prandaj, do të doja të bëja një apel për të gjithë ata që mund të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur: ta bëjnë këtë dhe të ndajnë çdo informacion që mund të jetë i dobishëm.

Çfarë mund të bëjë konkretisht bashkësia ndërkombëtare për të ushtruar presion ndaj palëve që të hapin arkivat, të ndajnë informacionet dhe të hetojnë të gjitha lokacionet e dyshimta?

Samira Krehiç: Ajo që bashkësia ndërkombëtare mund të bëjë është të vazhdojë të inkurajojë dhe mbështesë Kosovën, Serbinë dhe vendet e tjera të rajonit që kanë kaluar përmes tmerrit të konflikteve të armatosura, që të punojnë së bashku për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, sepse pa bashkëpunim nuk ka zgjidhje të kësaj çështjeje.Gjithashtu, duhet të sigurohet që obligimet ekzistuese, të cilat tashmë janë marrë përmes nënshkrimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, deklaratave dhe dokumenteve të tjera, të shndërrohen në veprime konkrete.Është e rëndësishme mbështetja e vazhdueshme për institucionet e përfshira në procesin e gjetjes së personave të zhdukur, por me një fokus të qartë te nevojat e familjeve që ende presin përgjigje. Pra, është e rëndësishme që bashkësia ndërkombëtare të sigurojë qëndrueshmërinë afatgjatë të këtij procesi, por nën udhëheqjen e institucioneve vendore, në vend që të krijohen mekanizma dhe kapacitete shtesë zëvendësuese që do të merrnin përsipër rolin e institucioneve vendore.

Duke marrë parasysh përvojën tuaj shumëvjeçare në punën për çështjen e personave të zhdukur nga konfliktet në hapësirën e ish-Jugosllavisë, çfarë mendoni se duhet të bëhet tani që Kosova të mos duhet të presë edhe 27 vjet të tjera për të mësuar fatin e atyre që ende figurojnë si të zhdukur?

Samira Krehiç: Mendoj se Kosova nuk duhet të presë për rezultate, por duhet të ndërmarrë hapa vendimtarë drejt arritjes së tyre.ICMP-ja është në dispozicion për të ndihmuar me njohuritë dhe ekspertizën e saj, por përgjegjësia, në fund të fundit, qëndron te institucionet e Kosovës.Çështja e personave të zhdukur duhet të depolitizohet dhe duhet të sigurohet mbështetje për të gjitha familjet e personave të zhdukur, ndërsa institucionet vendore duhet të marrin iniciativën në këtë proces. Në të njëjtën kohë, duhet të shfrytëzohen njohuritë dhe përvoja e të gjithë ekspertëve që janë në dispozicion, si të ICMP-së, ashtu edhe të organizatave dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare.Këto janë disa nga parakushtet themelore për gjetjen e personave të zhdukur dhe, në fund, në një kontekst më të gjerë, për shërimin e shoqërisë në tërësi.Bashkësia ndërkombëtare ka ofruar mbështetje, ka krijuar mekanizma të caktuar dhe ka ndihmuar, e vazhdon të ndihmojë, aty ku mungojnë kapacitete të caktuara. Por Kosova duhet të bëjë përpjekje shtesë, të investojë më shumë dhe të hetojë çdo gjurmë, duke shfrytëzuar çdo mundësi për gjetjen e personave të zhdukur.Familjet janë një forcë e madhe. Kanë kaluar kaq shumë vite dhe interesi i bashkësisë ndërkombëtare po zhvendoset drejt krizave dhe vatrave të tjera në botë. Prandaj, është e nevojshme të veprohet shpejt dhe kjo çështje të trajtohet si një nga prioritetet për ndërtimin e një shoqërie të qëndrueshme dhe të shëndetshme.

Të ngjashme