Krerët e Listës Serbe pozuan para ushtrisë në Batajnicë, Vela i quan klounë dhe vegla të regjimit të Beogradit

Prishtinë | 22 Pri 2023 | 18:48 | Nga Ekonomia Online

Krerët e Listës Serbe u panë sot të rreshtuar në një stërvitje të ushtrisë serbe në Batajnicë, e për këtë ka reaguar Blerim Vela nga presidenca e Kosovës në rrjetin social Twitter.

Këtë pjesëmarrje të serbëve atje, Vela e quaji “ekskursion” dhe si pas tij më e rrugës do të ishte që këta të merrnin pjesë në zgjedhjet e ditës së nesërme.

“Në vend që të marrin pjesë në zgjedhjet e 23 prillit dhe të punojnë për mirëqenien e serbëve të Kosovës, ata vendosin të bëjnë një ekskursion dhe të pozojnë si klounë para disa armëve. Patetike!”

Kujtojmë që nesër mbahen zgjedhjet lokale për katër komunat në veri të vendit.

Forcat e Armatosura të Serbisë prezantuan sot në aeroportin e Batajnicës pajisjet dhe aftësitë e reja të pjesëtarëve të saj, ndërsa në ekspozitën “Granit 2023” mori pjesë kryesia shtetërore e udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiq. Aty ishin edhe liderët politikë të serbëve nga Kosova.

Në podium ishin krerët e Listës Serbe Milan Radoiçiq, Goran Rakiq, Igor Simiq, Dalibor Jevtiq dhe të tjerë nga kjo parti, ndërsa u prezantuan aftësitë e pjesëtarëve të Forcave të Armatosura të Serbisë dhe armët e reja, e më pas bënë një xhiro me armët e ekspozuara.

Në Batajnicë, në afërsi të Beogradit, në vitin 2001 janë zbuluar 744 trupa të civilëve shqiptarë të vrarë gjatë luftës në Kosovë, të cilët ishin bartur në atë varrezë masive.

Më shumë se 1,640 njerëz nga Kosova, shumica shqiptarë, ende konsiderohen si të pagjetur që nga përfundimi i luftës më 1999.

Pjesëmarrja e politikave të partisë Lista Serbe në një shaqje të tillë ushtarake në Serbi vjen një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme komunale për katër komunat me shumicë serbe; Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Rekomandime

Të ngjashme