Kreu i SBAShK-ut: Oferta e kryeministrit e pamjaftueshme

Prishtinë | 20 Jan 2019 | 20:34 | Nga Norë Kelmendi

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës së Kosovës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se oferta e Qeverisë së Kosovës për rritje të pagave nga 46.8 euro deri në 74.8 euro në muaj është e pamjaftueshme.

Ai tha se pritet që greva të vazhdojë. Por vendimin për këtë do ta marrë Këshilli Grevist.

“Jemi në kontakt me strukturat në terren. Oferta e kryeministrit Haradinaj është e pamjaftueshme për ne”, tha Jasharaj, për Ekonomia Online.

“Besoj dhe jam i sigurt që greva do të vazhdojë. Nuk do ndalemi, pasi që oferta e Haradinajt nuk i afrohet kërkesës tone për rritje të koeficientit prej 30 për qind”, deklaroi Jasharaj, pak pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Ne presim të flasim edhe me këshillin grevist, po me gjasat më të mëdha greva do mbetet, pra do vazhdojë, deri në arritjen e plotë të kërkesës sonë”, shtoi ai.

“Ai dokument për ne nuk përbën asnjë element nga kërkesat tona dhe kjo na bën që grevën mos ta ndalim”, theksoi kreu i SBAShK-ut.

LEXO EDHE:

Të ngjashme