Në Serbi është duke u propozuar që të krijohet një ministri e cila do të merret me problemet e Kosovës, propozim i cili nuk ka kaluar pa debate.
Kryetari i grupit parlamentar të SNS, Aleksandar Martinoviq, ka thënë se Kosova është pjesë e Serbisë dhe se nuk ka nevojë për krijimin e një ministrie të tillë, transmeton lajmi.net.
Duke iu përgjigjur kritikave të opozitës për krijimin e kësaj ministrie, Martinoviq ka thënë se shteti i Serbisë do të jetë i pranishëm në Kosovë pa marrë parasysh a ka ministri apo jo.
“Deri në atë logjikë, ne duhet të kemi ministri për Vojvodinën, Beogradin, Kosovën e Mitrovicën”, tha kreu i grupit parlamentar të SNS.
Madje sipas tij, nëse krijohet një institucion i tillë, do të legjitimohet pavarësia e Kosovës, duke bërë që ajo të mos jetë pjesë e shtetit serb.
“Në qoftë se ne e pranojmë logjikën tuaj për krijimin e Ministrisë së Kosovës, i bie që Kosova nuk është pjesë e Serbisë. Për ne Kosova është Serbi, dhe do të vazhdojmë të jemi të pranishëm atje”, shtoi Martinoviq.