Krijojmë probleme për të mos u marrë me problemet? Deja Vu

Prishtinë | 15 Shk 2024 | 17:33 | Nga Besa Ismaili

Taktika ‘Eskalim për De-Eskalim’ e Besnik Bislimit është parë në mikrokozmosin e Urës së Ibrit në Mitrovicë.

Atë, sot e solli në dimensione makro, profesori i ekonomisë, zv. kryeministri i Kosovës dhe negociatori i shtetit tonë në dailog!

Taktika ‘eskalojmë për të de-eskaluar’ është përdorur efektivisht nga bandat kriminale të Serbisë në veriun e Mitrovicës.

Sa herë që duhej shtruar problemi i Mitrovicës dhe biseduar për të në nivel ndërkombtarë, ato bandat atje me bashkërendim me Beogradin, eskalonin situatën mu në Urën e Ibrit.

Për këto ‘eskalime’ bashkësia ndërkombëtare, Kosova, Serbia dhe SHBA-të zhvillonin takime dhe biseda me vite të tëra për të ‘de-eskaluar’.

Kështu për shembull kur barikadat mbi Urën e Ibrit u patën vendosur 12 vite më parë, për t’u larguar 8 vite më parë, janë dashur 4 vite bisedime vetëm për barrikadat. Ngjashëm ishte kur u mbushë Ura e Ibrit me dheun për kopsht, për ta quajtur ‘Parku i Paqes’, pastaj rreth-rrotullimi, e të ngjashme, e të shumta….

Më shumë sesa dëmi mbi urë, dëmtohej vet kolaterali.

E ‘kolateral’ ishin vetë shqiptarët, serbët, boshnjakët, turqit, etj. që jetonin qoftë në veri apo në jug të qytetit të Mitrovicës.

Eskalimet mbi Urën e Ibrit, target kishin dëmin mbi qytetarët e Mitrovicës, në veri dhe në jug, për të cilët më nuk bisedohej sepse nuk ishin temë ata, rrjedhimisht asnjë shqetësim i qytetarëve nuk adresohej, dhe status quo-ja politike dhe e sigurisë vazhdonte. Bashkë me status quo-në, edhe ankthi, pasiguria, varfëria dhe ikja e qytetarëve të Mitrovicës.

Kërcënimi për eskalim i zv. kryeministrit Bislimi, nuk është i dëmshëm në vete. Dëmtuese deri në palcë të kurrizit kombëtar këtë taktikë e bën fakti se Kosova nuk zgjidhë asnjë nga problemet e veta, nuk adreson asnjë nga shqetësimet e qytetarëve, nuk krijon asnjë mundësi për qytetarët dhe nuk ofron asnjë përspektivë.

Taktika ‘eskalojmë për të de-eskaluar’ krijon problem nga asgjëja për të prodhuar zgjidhje për të, për të humbur kohën, dhe për të mos i shërbyer interesave të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës.

Prandaj, kërcënimin e Besnik profesorit, sot zëvendës kryeministër, duhet kuptuar drejt: ai nuk kërcënoi Bashkimin Evropian, as Lajçakun dhe as Borrelin. Ai u çoi selam edhe njëherë qytetarëve të Kosovës dhe ju tha: ne qeveria që ju votuat nuk merreni me juve fare, problemet e qytetarëve nuk janë probleme të qeverisë ku bëj pjesë unë sepse ne këta jemi: ne krijojmë probleme për mos t’u marrë me problemet!

Të ngjashme