Departamenti i Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës është duke zhvilluar hetime në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” nën dyshimet për korrupsion pas raportimeve të “Zërit” për keqpërdorim të konkursit për pranimin e stafit akademik.
Departamenti i Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Policinë e Kosovës ka nisur hetimet ndaj drejtuesve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Sipas burimeve të gazetës “Zëri”, hetimet po zhvillohen duke u bazuar në dyshimet për korrupsion në këtë Universitet, ku, siç i është bërë e ditur gazetës, Policia po e merr në pyetje palën e dyshuar, por edhe atë të dëmtuar.
Hetimet nga Krimet Ekonomike kanë filluar duke u bazuar në një shkresë, të cilën Agjencia Kundërkorrupsionit (AKK) ia ka dërguar Policisë së Kosovës.
“Rasti me të gjitha provat e mbledhura, më datë 22.02.2017, është përcjellë në Drejtorinë për Krime Ekonomike dhe Korrupsion – Policia e Kosovës për procedim të mëtutjeshëm”, thuhet në shkresën e AKK-së të siguruar nga “Zëri”.