Veriu i Kosovës vlerësohet si rajoni ku nuk sundon ligji, ku të fortit e bëjnë ligjin e bosët e krimit vendosin për fatin e njerëzve, madje edhe për jetët e tyre. Ata vendosin a do të jetosh ose a do të vdesësh. “KRIK naglas”: Kur bëhet fjalë për vepra kriminale nuk ka ndarje në mes të serbëve dhe të shqiptarëve, të përfshirë janë të gjithë, biznesmenë dhe politikanë, shkruan sot gazeta Zëri.
Siç përcjell “Kossev”-i në veri të Mitrovicës shkrimin e gazetës beogradase “KRIK naglas”, kur bëhet fjalë për vepra kriminale shqiptarë dhe serbë janë bashkë, ata veprojnë bashkërisht edhe në veri, edhe në jug. Gazeta citon pjesë të një raporti të BIA-s serbe, sipas të cilit një shqiptar i Mitrovicës, Ismet Osmani, kishte bashkëpunuar me Veselinoviqin në atë mënyrë që narkotikët dhe armët nga veriu ia kanë shpërndarë në jug. Ndonëse janë cilësuar si biznesmenë kontroversë, Veselinoviqi dhe Radojiçiqi shpesh janë parë në fotografi të shoqëruar nga njerëz me ndikim. “Në një anë kemi një fotografi të Radojiçiqit me Pacollin e në anën tjetër një fotografi të Radojiçiqit me vëllain e Vuçiqit.
Kjo do të thotë këta njerëz ndodhen gjithkund, se ata kanë ardhur deri në maja të pushtetit, ata rrinë bashkë nëpër restorante, kënaqen dhe bëjnë jetë luksoze. Ndoshta flasin për ndeshje futbolli ose për çështje private, por kjo është pak e besueshme, do të thotë ajo sa dimë tani për Veselinoviqin është se ai bën punë të mëdha në Serbi, se është njëri nga njerëzit më të fuqishëm në shtetin e Serbisë, se fiton shumë para me tenderë, do të thotë merr para të buxhetit.
Ne tani jemi në një situatë që të themi se është shumë keq që ata rrinë bashkë, se kemi të bëjmë me një njeri që edhe më përpara është akuzuar për kontrabandë me narkotikë, se shërbimet informative si institucione zyrtare të shtetit kanë thënë se ai njeri është kriminel, ndërsa tani rri me vëllain e presidentit të shtetit. Përgjigja e vetme që ne marrim është se ‘po ani çka nëse ata rrinë bashkë, a është e ndaluar kjo që ata të rrinë bashkë?”. Në çdo shoqëri normale kjo pyetje nuk do të bëhej fare. Te ne është situatë tjetër”, ka vlerësuar Bojana Pavlloviqi, nga gazeta beogradase “KRIK naglas”, të cilën e përcjellin mediet lokale serbe në veri të Mitrovicës.