Kritere strikte për kompanitë që synojnë statusin e operatorit të autorizuar ekonomik

Prishtinë | 30 Jan 2017 | 08:12 | Nga

Vetëm kompanitë vendore që përmbushin kriteret strikte do të mund të pajisen me një “pasaportë” që ua lehtëson punën me Doganën e Kosovës.

Si rezultat i një Udhëzimi Administrativ për operatorët e autorizuar ekonomikë, bizneset do të kenë lehtësira, siç është për shembull zhdoganimi i mallit brenda vendit e jo në kufi.

Koncepti i këtyre operatorëve është koncept i Organizatës Botërore të Doganave që rregullon raportet doganë-biznese.

Për ta finalizuar këtë Udhëzim Administrativ, të premten e ardhshme Dogana e Kosovës do të ulet që të bisedojë me odat dhe aleancat e bizneseve. Kështu është bërë e ditur nga zyrtarë të Doganës dhe të odave.

Kjo masë e Ministrisë së Financave është edhe pjesë e objektivave të vitit 2017. Puna për të ka filluar pothuajse dy vjet më parë. Këmbëngulës për këtë risi ka qenë edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Operatorët e autorizuar ekonomikë i ka përfshirë edhe në rekomandimet e tyre për bashkimin e Doganës me Administratën Tatimore të Kosovës në një agjenci të vetme. (Koha Ditore)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme