Kriteri i çmimit më të lirë, që aktualisht përdoret në shumicën e blerjeve përmes prokurimit publik, po vlerësohet nga njohësit e fushës si i pamjaftueshëm për menaxhimin e duhur të parasë publike. Përfaqësues nga bizneset si dhe anëtarë të organizatave të shoqërisë civile që monitorojnë prokurimin publik, kanë propozuar që në përdorim të futet edhe kriteri i çmimit ekonomikisht më të favorshëm.
Sipas raportit të fundit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), institucionet publike gjatë vitit 2017 kanë nënshkruar 10.214 kontrata për blerje të mallrave apo shërbimeve, me vlerë prej 459 milionë eurosh. 98 për qind e këtyre kontratave janë proceduar përmes kriterit për çmimin më të ulët, shkruan sot “Koha Ditore”.
Por hulumtuesi nga Demokracia Plus, Isuf Zejna, konsideron se një numër i madh i tenderëve do të duhej të përzgjidheshin me kriterin e çmimit ekonomikisht më të favorshëm, pasi që mundëson blerje dhe projekte më cilësore në prokurim publik.
“Ky kriter mundëson që produktet të blihen jo domosdo me çmimin fillestar, por marrin për bazë jetëgjatësinë e produktit dhe cilësinë e tij. Për shembull, ky kriter i mundëson institucionit që gjatë blerjes së një aparature mjekësore, apo produkteve të tjera, të marrin për bazë shpenzimet e mirëmbajtjes, gjatësinë e garancisë dhe të tjera elemente që në fund ndikojnë në çmimin final të produktit”, ka theksuar Zejna.