Kritika e krahason “Galaktikën e Andromedës” me fitues të “Oscarit”

Prishtinë | 26 Jan 2021 | 10:26 | Nga Ekonomia Online

Filmi debutues i metrazhit të gjatë i More Raçës, “Galaktika e Andromedës”, është duke u shfaqur në Itali, në kuadër të edicionit të 32-të të “Trieste Film Festival”, ku garon në kategorinë kryesore. Kritika e krahason me filmat e kohës së neorealizmit italian, me kryeveprën ‘Vjedhësit e biçikletave’ të Vittorio de Sicas, fitues i “Oscarit”

Përfshirja e filmit “Galaktika e Andromedës” në konkurrencën zyrtare të Festivalit të Filmit në Trieste ka pasuar me një varg kritikash pozitive. Në festivalin që njihet si vendtakimi më i rëndësishëm i kineastëve italianë, vëmendjen e mediave e ka marrë regjisorja e Kosovës, More Raça, për të cilën është thënë se është një ndër regjisoret që duhet ndjekur, me arsyetim se për punën e saj do të flitet shumë edhe në të ardhmen.

“Galaktika e Andromedës” është duke u shfaqur në Itali në kuadër të edicionit të 32-të të “Trieste Film Festival”, ku garon në kategorinë kryesore. Premierën në këtë Festival e pati para tri ditësh, si dhe është shfaqur për një javë në platformën “MYMovies.it”. Në garë për edicionin që nisi më 21 janar dhe përfundon më 30 të këtij muaji, përveç “Galaktikës së Andromedës” të More Raçës është dhe “Exil” i Visar Morinës. I mbajtur për çdo vit në javën e tretë të janarit në qytetin Trieste, kjo ngjarje është bërë ndër festivalet kryesore të kinematografisë së Evropës Qendrore e asaj Lindore. Edicioni i sivjetmë po mbahet online për shkak të pandemisë.

“Galaktika e Andromedës” shpërfaq një histori të dhimbshme familjare, ku një baba është i gatshëm ta lërë Kosovën për t’ia ofruar vajzës së tij një të ardhme më të mirë në Gjermani. Edhe “Exili” i Visar Morinës shtrihet në këtë distancë gjeografike. Xhaferi, një inxhinier farmacist, që vë në pikëpyetje çdo gjë përreth gjersa përballet me diskriminim për shkaqe etnike.

“Galaktika …” pati premierën botërore në gusht të vitit të kaluar në Festivalin e Filmit në Sarajevë, ku ishte në garë për “Zemrën e Sarajevës”. Por atë e mori “Exili” i Morinës.

“Galaktika e Andromedës” është debutimi i Raçës në film të metrazhit të gjatë. Shtjellon rrëfimin e Shpëtimit (Sunaj Raça), një baba 50-vjeçar, i papunë, i cili sfidë jetësore e ka punësimin. E streha për vajzën e tij të vetme, Zanën (Elda Jashari), është sfida që do t’i kompletonte synimet e këtij personazhi.

Regjisorja Raça, në bisedë për KOHËN në lidhje me kritikat pozitive për filmin, ka thënë se të hënën ka marrë edhe një tjetër, atë të “Cine Clandestino”, revista që publikon kritika dhe informacione në lidhje me kinematografinë e themeluar në vitin 2008. “Galaktikën…” e vlerëson si një dramë që paraqet të vërtetat e shoqërisë pa shtirje dhe retorikë.

“Regjisorja e shfaq historinë duke xhiruar me kamerë në dorë dhe na merr me vete për të ndjekur sfidat e protagonistit që është një baba i mirë, një njeri i mirë, që bën më të mirën për të siguruar një të ardhme për veten dhe vajzën e tij që e ka shumë për zemër, në një vend të pllakosur nga papunësia dhe korrupsioni”, është shkruar në “Cine Clandestino”. Sipas të njëjtit shkrim, Raça e përdor kamerën në mënyrë të përkryer, nuk largohet asnjëherë nga protagonisti, por arrin që të mos jetë e bezdisshme.

“Regjisorja nuk fsheh asgjë, megjithëse shpesh i lë imazhet e kapura nga syri i kamerës që të flasin vetë, duke demonstruar se ajo është e sigurt se kamera ka mundësi që të perceptojë atë që syrit të njeriut mund t’i shpëtojë. Megjithatë, asnjëherë nuk dështon që të tregojë kujdes dhe delikatesë edhe në momentet më intime dhe të ndjeshme”, është shkruar aty. Tutje tregohet se si regjisorja ia jep publikut një vepër të fuqishme, ani pse ndjek një histori minimale e që mund të gjendet kudo në botë.

Regjisorja More Raça ka thënë se filmi pati rrugëtim të suksesshëm dhe vlerësim shumë pozitiv nga kritika. Ka shtuar se tani ka interesim të televizioneve prestigjioze për ta emituar filmin në kanale televizive në Itali.

“Jam shumë e lumtur që është vlerësuar pozitivisht nga kritikët e njohur italianë dhe mediat e rëndësishme që e kanë vlerësuar projektin tonë filmik si një film potent, me shumë emocion, empati dhe film që trajton tematikë shumë të rëndësishme, e që gjithashtu është krahasuar me filmat e kohës së neorealizmit italian, me kryeveprën ‘Vjedhësit e Biçikletave’ (Bicycle Thieves) të regjisorit Vittorio de Sica”, ka thënë ajo.

Katër filma të regjisorit De Sica (1901 – 1974) kanë marrë “Oscar”: “Sciuscia” dhe “Bicycle Thieves” kanë marrë çmime nderi, ndërsa “Yesterday, Today and Tomorrow” më 1965 dhe “Il giardina dei Finzi Contini” (1972) kanë fituar “Oscar” për filmin më të mirë në gjuhë të huaj. “Bicycle Thieves” ishte cituar nga “Turner Classic Movies” në mesin e 15-të filmave me më ndikim në historinë e kinemasë.

Krahasimi me regjisorin italian Vittorio de Sica e ka bërë “Cinemio”, platforma që nisi në janar të vitit 2007 si një blog personal e më vonë u kthye në një projekt që menaxhohet nga njerëz që njohin fushën e kinematografisë.

“Një neorealiste evropiane që tregon një realitet që ka qenë i tillë për shumë vjet, por për të cilin ne shumë pak mendojmë. Në Kosovë çdo ditë është një betejë ndaj pabarazisë, papunësisë dhe korrupsionit politik”, është shkruar në “Cenemio”. E njëjta thotë se kjo nuk është keq, një film debutues si regjisore e metrazhit të gjatë dhe me një buxhet të vogël, pasi që regjisorja arrin që të krijojë një vepër interesante, realiste, dramatike dhe madje edhe pak autobiografike. Regjisorja për të njëjtin medium ka thënë se qëllimi i saj nuk është vetëm që të jetë regjisore, por edhe gazetare, duke nxjerrë në pah problemet e vendit të saj për të ngjallur kështu kritika konstruktive.

E ueb-faqja italiane “Mymovies.it”, e themeluar në vitin 2000, e që i dedikohet kinemasë italiane, ka shkruar se filmi është një lidhje estetike e regjisores me identitetin kulturor.

“Pa e ngritur tonin (dhe ndoshta me shumë kamera në veturë, sidoqoftë diçka që është e falshme), Raça tregon se ajo di se si të shikojë kinemanë evropiane të Loach dhe Dardenne, duke mos e imituar atë, por duke shikuar për një aspekt estetik që e merr në konsideratë identitetin e saj kulturor”, është shkruar aty. E kritiku dhe producenti Massimo Volpe ka shkruar në ueb-faqen “Cinemisssible” se regjisorja 29-vjeçare, përmes titullit të filmit, ia jep atij një ngjyrim poetik dhe shpresëdhënës.

“Nuk ka dyshime për atë që kërkohet për të qenë një regjisor i madh dhe “Galaktika e Andromedës” është një provë e qartë për këtë, ne vetëm duhet që të përcjellim këtë regjisore kosovare me kujdes, sepse akoma kemi për të dëgjuar për të”, ka shkruar tutje Volpe.

Në garë, në Festivalin e Filmit në Trieste, përveç “Galaktikës së Andromedës” dhe “Exilit” është edhe filmi “Father”, nën regji të Srdan Goluboviqit, në të cilin protagonisti përballet me korrupsionin brenda shërbimeve sociale në Serbinë e sotme. Një kthim në kohë është, nga Evropa e sotme është “In the Dusk”, nën regji të Sarunas Bartas, “Sweat”, nën regji të Magnus von Horn, ku një trajner fitnesi bëhet pre e një ndjekësi në rrjetet sociale, si dhe “Beginning”, nën regji të Dea Kulumbegashvilit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme