Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka pritur sot në takim drejtorin e Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, me të cilin kanë diskutuar për Pakon e Ligjeve Kundër Korrupsionit.
Ministri Tahiri ka kërkuar bashkëpunim me gjithë akterët vendor, në tejkalimin e barrierave ditore, në mënyrë që të përmirësohen politikat publike që mundësojnë efikasitet më të madh në sundimin e ligjit.
“Është shumë me rëndësi që projektligji për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë së fituar me vepër penale dhe ai për Mbrojtjen e Sinjalizuesve të miratohen nga Kuvendi sa më parë që është e mundur. Vetëm përmes konfiskimit të pasurisë së fituar nga aktiviteti kriminal, ne si shoqëri do arrijmë të ndërtojmë një Kosovë në të cilën krimi i organizuar, korrupsioni dhe abuzimi nuk do të gjejnë vend” ka thënë ministri Tahiri.
Sipas ministrit Tahiri, deputetët, liderët institucional dhe ata partiak, duhet të përmbushin pritshmërinë e qytetarëve për konstruktivitet në çështjet jetike që ndikojnë në vetë sundimin e ligjit.
“Dinamika e zhvillimit institucional dhe shtetëror është shumë e rëndësishme në këtë kohë kur qytetarët tanë presin konstruktivitet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, liderët institucional dhe ata partiak, në çështjet jetike që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit. Çdo vonesë në miratimin e ligjeve, është amnisti për krimin dhe përfitimin e paligjshëm, këtë situatë nuk duhet ta lejojmë dhe kjo është përgjegjësi e të gjithë neve” ka thënë Tahiri.