Është publikuar raporti “Instituti i Vetizoluar – Vlerësim i Shoqërisë Civile për Institutin Albanologjik të Prishtinës” i organizatës “Integra” me autor Shkëlzen Gashin, raporton Ekonomia Online.
Drejtori i organizatës “Integra”, Kushtrim Koliqi, tha se qëllimi i projektit është të rishikoj dhe të monitorojë punën e Institutit Albanologjik pasi janë institucionet që financohen nga paratë publike.
“Ky është institucioni i dytë që “Integra” e ka bërë një vlerësim të tillë, ne mendojmë që përmes këtyre iniciativave të iniciojmë më shumë debat publik për këtë institucione. Qëllimi i projektit është që të rishikoj të reflektoj institucionet publike të Kosovës që financohen nga paratë publike, ne nuk e kemi qëllimi që me i vendos keq ato institucione, ne japim rekomandime se si këto institucione të përmirësohen. Ky projekt i ka 4 specifika”, tha Koliqi.
Shkëlzen Gashi nga “Integra”, prezantoi një varg të të gjeturave dhe rekomandimeve për Institutin Albanologjik.
Në bazë të këtyre të gjeturave thuhet se drejtuesit e Institucionit të Albanologjisë mbajnë disa pozita, derisa 3 revistat nuk i plotësojnë kriteret për publikime shkencore.
“Drejtuesit e Institutit Albanologjik kanë qenë shumë bashkëpunues. Gjetja e parë, sipas ligjit për veprimtari kërkimore- shkencore, drejtori përveç që e drejton edhe Këshillin Shkencorë i ka 3 pozita, nuk ka kurrfarë kufizimi për pozitën, rekomandimi jonë është që ky ligj të ndryshohet në dy pika, mos me ushtru detyrën më shumë se dy mandate, ky ligj duhet me i përcaktu saktë pozitat për Këshillin Drejtues dhe Këshillin Shkencorë. Shumica dërrmuese e publikimeve janë në gjuhën shqipe, ka shumë pak anglisht, rekomandimi është që duhet me botu në gjuhë të huaja sidomos në gjuhën angleze, duhet me botu edhe autorë të huaj, duhet me pasë një kriter për botimin e veprave të veta që botojnë”, tha ai, raporton Ekonomia Online.
“Botimet shkencore, në asnjërën prej revistave nuk figuron redaktori që e ka përcjell punën, nuk i kanë numrat online të botuar. Rekomandimi është që revistat që të publikojnë botimet online dhe të pajisen me kode ndërkombëtare edhe pse është pak problematike pasi Kosova nuk është anëtare e OKB-së dhe ndoshta Instituti nuk ka shumë faj. Rekomandimi tjetër është që këto botime me pas tekst rezyme. Të gjitha konferencat, simpoziumet shumica e autorëve janë shqiptarë dhe botohen në shqip, rekomandimi është që konferenca simpoziumet me pasë edhe anëtarë të huaj dhe të botohen në gjuhën angleze”.
Ai pati edhe disa kritika për Institutin pasi nuk ka publikuar disa vepra të disa autorëve.
“Buxhetin vjetor e ka pasë mbi gjysmë milion euro dhe ka pas vetëm 2 projekte, një vepër e Rexhep Qosjes dhe veprën e Anton Qetës pse duhet me u botu këta dy autorë duhet me pasë cila është vlera shkencore e këtyre veprave, Instituti nuk boton veprën e Hasan Kaleshit që ka shumë botime ndërkombëtare”.