Këshilli koordinues i asociacioneve familjare të të zhdukurve të Kosovës(KKAFZhK), ka bërë hapjen e ekspozitës me foto për personat e zhdukur dhe krimet e luftës mbi popullatën shqiptare në Kosovë nga terrori serb gjatë luftës së vitit 1998/1999, raporton Ekonomia Online.
Ahmet Graiçevci, kryetar i KKAFZhK-së, ka thënë se institucionet e Kosovës deri më tash nuk kanë bërë aq sa duhet, gjë për të cilën tha se nëse do punohej më shumë nga ato, nuk do të kishte nevojë as për Gjykatë Speciale.
Ai se kryeministri, Ramush Haradinaj, duhet të vijë tek këshilli që të bisedojnë, pasi sipas tij, ai nuk e di sa informacion kanë shoqatat mbi çështjen e të pagjeturve.
“Nëse institucionet e Kosovës do ishin më mirë në çështjen e personave të zhdukur dhe krimeve të luftës, besoj që sot nuk do të ekzistonte asnjë Gjykatë Speciale sepse kemi pas mjaft fakte, të dhëna për të ardhë deri tek e vërteta dhe ndriçimi i të vërtetës”, tha ai.
Graiçevci ka thënë se në komisionin parlamentar për persona të pagjetur nuk ka qenë i ftuar asnjëherë, ndërsa ka shtuar se ky komision duhet të fillojë të punojë më tepër ose të shpërbëhet.
“Kisha kërkuar edhe nga institucionet e Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare të formojë një komision ndërkombëtar për hulumtimin e të dhënave brenda Serbisë që do kishte sjellë rezultat apo efekt me detyru Serbinë se ku janë njerëzit tanë”, tha ai.
Latif Mehmeti, nga Shoqata e Personave të Zhdukur dhe Viktimat e Luftës, në Podujevë, ka thënë se nuk janë të kënaqur me punën e komisionit qeveritar për persona të zhdukur, ndërsa ka thënë se ky komision më shumë ka shpenzuar kohë jashtë vendit se sa që është marrë me këtë çështje.
“Nuk jemi të kënaqur me punën e komisionit qeveritar për persona të zhdukur. Gjatë 2018-tes ky komision nuk ka gjet kohë me u taku me shoqata. Komisioni qeveritar më shumë ka humb kohë jashtë vendit se që është marrë me persona të zhdukur. Komisioni qeveritar me disa komunikata është mundu me iu qit hi syve të familjarëve të të zhdukurve. Sipas nesh, komisioni qeveritar duhet të bëjë presion më shumë tek Serbia e cila i ka evidencat”.
Haki Kasumi, nga Shoqata për Hulumtime dhe Fate për Persona të Pagjetur, nga komuna e Prishtinës, ka thënë se deri më tash mos pasja e një vendi të Këshillit për të diskutuar për çështjen e personave të pagjetur ka qenë diskriminuese, pasi ai tha se shpesh herë janë detyruar të mblidhen edhe nëpër kafe për të diskutuar.
“Deri tash është e vërtetë që neve na kanë mungu kushtet elementare për punë. Ne kemi vrapu nëpër seli të shoqatave, madje edhe në kafe që ishte diskriminuese, sepse ngjarjet e tilla duhet të mbahen në vende më dinjitoze”, tha ai, raporton EO.
Ai ka bërë lutje ndaj grupit negociator për bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë që të ushtrojnë më shumë presion ndaj shtetit serb për ndihmë në gjetje të personave të zhdukur gjatë luftës.
“Një lajm do ta veçoja për paralajmërimin për grupin negociator për bisedime mes Kosovës dhe Serbisë, dhe ashtu siç e meriton në këto biseda të ngrihet çështja e personave të pagjetur. Ne lusim grupin negociator, zv.kryeministrin Limaj, që ti përmbahet premtimit dhe ne presim shumë nga kjo që të kemi rezultate”, tha ai.
Ymer merlaku, nënkryetar i Shoqatës për Persona të Zhdukur në komunën e Klinës, i cili ka të zhdukur vëllaun, djali e vëllaut dhe mbesën, ka thënë se nuk ka as një ndryshim për disa vite në zbardhjen e rasteve, ndërsa ka mbështetur parafolësit se institucionet, komisionet nuk kanë bërë sa duhet në këtë drejtim.
“Ne kemi edhe 1600 persona të pagjetur. Që 5-6 vite kjo shifër nuk ka ndryshuar. As qeveria, komisioni qeveritar, as komisioni parlamentar nuk ka arrit me e bë zbardhjen e rasteve. Si familjar them se nuk ka përparim, nuk ka zbardhje dhe si familje jemi të shqetësuar që qe 19 vjet nuk dimë për fatin e familjarëve. Kërkojmë të dyshohet qasja e komisionit qeveritar, parlamentar, bëjmë apel presidentit, kryeministrit dhe të tjerëve që kanë bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare që të bëjnë më shumë për zbardhjen e fateve të personave të zhdukur”, tha ai.