Grupi i qytetarëve të organizuar nën parullën “Asnji cent ma shumë” është distancuar nga protesta e nesërme e organizuar nga PSD.
Ata thonë se PSD ka vendosur posterë të ndryshëm në Prishtinë që u bëjnë thirrje qytetarëve për protesta pa vendosur ndonjë logo të organizatorëve.
“Ky informim u bë i domosdoshëm pasi nëpër rrugët e Prishtinës janë ngjitur postera dhe janë shpërndarë fletushka me informatat e protestës të thirrur nga PSD, pa vendosur askund logon e tyre apo ndonjë shenjë tjetër identifikimi të tyre si organizatorë. Këtë gjë ne e lexojmë si akt të qëllimshëm i cili synon t’i konfuzojë qytetarët lidhur me organizimin e nesërm”.
Grupi që kishte organizuar protesta të shtunën që lamë pas thonë se gjatë javës janë sulmuar nga zyrtarë të PSD-së me anë të shpifjeve.
“Me këtë rast, ne shprehim gjithashtu shqetësimin për sulmet e vazhdueshme mediale të militantëve të PSD-së ndaj aktivistëve/eve dhe qytetarëve/eve të protestës “Asnji cent ma shumë!”. Gjatë kësaj jave ne e kemi parë një fushatë të egër të PSD-së për ta deligjitimuar organizimin kolektiv për ta kundërshtuar rritjen e energjisë, duke shpifur dhe keqinformuar publikun. Përveç propagandës mediale, PSD është angazhuar aktivisht në sabotimin e organizimit qytetarë rreth kauzës së mos-shtrejtimit të çmimit të energjisë, çka është duke na dëshmuar edhe një herë nevojën që kjo kauzë t’iu mbetet qytetarëve, e jo partive”.
Grupi insiston se kauza kundër ngritjes së çmimit të rrymës nuk duhet të ketë përzierje nga politika.
“Ne insistojmë që kjo kauzë, aq esenciale për të gjithë/a ne, duhet të mbetet kauzë qytetare. Çdo ndërhyrje nga partitë politike do ta dëmtojë këtë kauzë, duke e shndërruar atë në mjet të rritjes elektorale dhe pazareve politike”.
Këta qytetarë thonë se protestat e tyre do të vazhdojnë deri në realizimin e kauzës për mos ngritjes së çmimit të rrymës.
“Andaj, ne mbesim të vendosur/a që të vazhdojmë me organizimin dhe qëndresën tonë kundrejt kësaj padrejtësie e cila është duke na u kanosur. Protestat tona dhe përpjekjet për parandalimin e rritjes së çmimit të energjisë do të vazhdojnë deri në fitoren tonë. Kjo betejë na takon neve -qytetarëve, andaj ju ftojmë të gjithë/a që të na bashkoheni në organizim dhe në rrugë”, thuhet në fund të reagimit të Grupit organizativ i protestave “Asnji cent ma shumë”.