Se do të kishte krize energjetike, disa nga ne e kishim paralajmëruaj para disa muajsh. Ajo që kërkonim, dhe që do të duhej bërë nga institucionet relevante të udhëhequr nga Qeveria, ishte që të merreshin masa që kjo krizë të tejkalohej më lehtë.
Nuk e kam asnjë dyshim që nëse këto thirrje do të merreshin seriozisht, dhe të fillohej të mendohej e planifikohej që atëherë, kjo krizë do të tejkalohej më lehtë. Por fatkeqsisht, jo që nuk u morrën seriozisht paralajmërimet, ato u injoruan dhe u përqeshën. E sot familjet kosovare duhet të ju shpjegojnë fëmijëve se qirinjtë nuk përdorën vetëm për torte të ditëlindjes.
Tani është vetëm fillimi i kësaj krize. Ajo do të thellohet e përkeqsohet edhe më tej. Pse? Sepse që 5 muaj nuk është bërë asgjë përkundër shumë thirrjeve e apeleve që të fillojmë të mendojmë e planifikojmë. Sot e tëra që mund të bëjmë, është të mbulohemi me qebe dhe të fajësojmë të kaluarën. Por vendit sot nuk i duhet një kryeministër që rri nën qebe por një kryeministër që merr përgjegjësi dhe udhëheq.
Kriza energjetike është sfida e parë e madhe e kësaj qeverie dhe shpresoj që shumë shpejt do ta mësojë se qeverisja nuk është retorikë dhe fajësim i të tjerëve. Justifikime dhe arsyetime mund të gjinden pothuajse për çdo gjë e çdo kënd. Por ato mbeten vetëm fjalë në eter. Ato nuk sjellin as dritë e as ngrohje. Qeverisja kërkon vendimarrje, dhe ofrim të zgjiedhjeve.
Askush nuk po pret që për 9 muaj të zgjidhen ngecjet e 20 viteve sepse këtë nuk mund ta arrish as për 9 vjet, thjesht sepse nuk mund ta kthesh kohën prapa.
Ajo që po pritet që është që qeveria ti kryej ato punë që i ka në tavolinë sot.
P.S. me shumë dëshirë do të kisha dhënë rekomandime se si të kalohet më lehtë kjo krizë, nëse dikush do të më kishte pyetur
para 5 muajsh. Sot rekomandimin e vetëm mund ta japim vetëm për trashësinë dhe modelin e qebeve e për këtë nuk kam ndonjë ekspertizë