Një vit e gjysmë pas thirrjes së parë telefonike përmes kodit të ri telefonik 383, Telekomi i Kosovës nuk po mund ta përfundojë kalimin e plotë në këtë kod.
Si pasojë e krizës financiare në të cilën gjendet, kjo ndërmarrje ka kërkuar nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) që ta shtyjë afatin kur përfundimisht duhet ta heqë kodin e vjetër 377, shkruan sot “Koha Ditore”.
ARKEP pati vendosur 1 qershorin e këtij viti si datën e fundit kur duhet të përfundojë transferimi i plotë në kodin e ri.
Mirëpo i njëjti institucion tani ka vendosur që këtë cak ta shtyjë edhe për pesë muaj të tjerë, me arsyetimin se operatorët po hasin vështirësi gjatë procesit.
“Në procesin e implementimit të kodeve të caktuara nga ITU, operatorët janë duke u ballafaquar me disa sfida, të cilat janë theksuar sidomos në kohën e fundit. Në veçanti Telekomi i Kosovës, përveç tjerash është duke u ballafaquar edhe me probleme financiare”, thuhet në arsyetimin e vendimit të këtij institucioni.
Ngecjen e Telekomit në implementimin e kodit të ri e ka pranuar edhe kryesuesja e Bordit të kësaj ndërmarrjeje, Besa Shatri-Berisha.