Lideri i opozitës venezueliane Juan Guaido tha se po konsideron t’i kërkojë SHBA të nisë një ndërhyrje ushtarake në vendin e pushtuar nga trazirat.
Duke folur për BBC ai tha se po i vlerësonte të gjitha opsionet e mundshme për të rrëzuar Nikolas Maduron. Javën e shkuar ai ndërmori një përpjekje të dështuar për të ndezur një rebelim ushtarak dhe për ta detyruar Maduron të lërë postin.
Presidenti u përgjigj duke mbajtur një fjalim nga një bazë e armatosur në Karakas, përkrah ushtarëve. Guaido e shpalli veten lider të përkohshëm të Venezuelës në janar.
Si shef i Asamblesë Kombëtare të kontrolluar nga opozita ai evokoi Kushtetutën për të marrë presidencën e përkohshme duke argumentuar se rizgjedhja e Maduros, vitin e shkuar, ishte e paligjshme.
Por Maduro, i mbështetur nga Rusia dhe Kina dhe liderët e ushtrisë së Venezuelës, ka refuzuar të lëshojë postin. Guaido që ka mbështetjen e më shumë se 50 shteteve, i tha BBC se mbështetja amerikane për të ishte vendimtare. “Unë mendoj se pozicioni i presidentit Donald Trump është shumë i qartë, çka ne e vlerësojmë, ashtu siç bën edhe e gjithë pjesa tjetër e botës” – tha ai.
I pyetur nëse do të donte që Trump dhe ushtria amerikane të ndërhynin, Guaido tha se ai është përgjegjës për të vlerësuar mundësinë e ndërhyrjes ushtarake ndërkombëtare duke shtuar: Unë si president që kam në ngarkim parlamentin kombëtar, do të vlerësoj të gjitha opsionet./Top Channel