Kriza Rusi-Ukrainë, Biden paralajmëron se nuk do të “pranojë vijat e kuqe të askujt”

Prishtinë | 04 Dhj 2021 | 08:43 | Nga Ekonomia Online

Joe Biden ka paralajmëruar se nuk do të pranojë ‘vijat e kuqe’ të vendosura nga Moska, ndërkohë që shtohet frika se Rusia po planifikon një pushtim të afërt të Ukrainës.

Presidenti amerikan tha se do ta bëjë ‘shumë, shumë të vështirë’ për Rusinë që të pushtojë fqinjin e saj.

Ndërkohë, mediat amerikane kanë raportuar se zyrtarët e inteligjencës kanë frikë se një pushtim mund të nisë në fillim të vitit 2022. Kjo vjen pasi Ukraina thotë se Rusia ka afruar ushtrinë e saj në kufi dhe ka grumbulluar rreth 94 mijë trupa atje.

Këtë javë pritet të ndodhë një video-telefonatë mes presidentit rus Vladimir Putin dhe Biden. Presidenti amerikan u tha gazetarëve se pret të ketë një diskutim të gjatë me liderin rus dhe paralajmëroi se ai nuk do të ‘pranojë vijat e kuqe të askujt’.

Ndërsa Biden nuk përcaktoi se çfarë veprimesh të sakta planifikon të ndërmarrë SHBA, zyrtarët amerikanë dhe ukrainas paralajmëruan sërish këtë javë se sanksione të rënda ekonomike janë në tryezë kundër Rusisë, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.

Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov të enjten tha se SHBA-ja kishte kërcënuar me sanksione të reja pas takimit të tij me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken.

Komentet e Joe Biden vijnë pasi Washington Post raportoi se zyrtarët e inteligjencës amerikane kanë frikë se Kremlini po planifikon një ofensivë me shumë fronte në fillim të vitit të ardhshëm, duke përfshirë deri në 175,000 trupa. Zyrtarët thuhet gjithashtu se kanë parë një rritje në përpjekjet propagandistike përmes përdorimit të përfaqësuesve dhe organeve mediatike për të denigruar Ukrainën dhe NATO-n përpara një pushtimi të mundshëm.

Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksiy Reznikov ka thënë se ai beson se koha më e mundshme e çdo përshkallëzimi rus ‘do të jetë fundi i janarit’.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme