Titulli i këtij shkrimi më erdhi ndërmend nga një libër me ese politike i Hannah Arendt-it, i emërtuar “Crises of the Republic”.
Në këtë libër, ashtu sikurse në atë “Ndërmjet të shkuarës dhe të ardhmes” ku pasqyrohet kriza në kulturë, arsim dhe në raport me të vërtetën, kjo autore eminente e mendimit teorik të shekullit 20-të, i kombinon një sërë shkrimesh politike për t’i trajtuar disa nga shkaqet kryesore të krizave për një rend republikan.
Është interesant se një vend qendror në këtë libër e zënë punimet që kanë të bëjnë me fenomenin e dhunës (On Violence), dhe atë të mashtrimit në politikë (Lying in Politics).
Kështu, për Arendt-in, kurdo që dukuri te tilla përdoren si instrumente taktike apo strategjike ato e rrezikojnë si republikën, ashtu edhe veprimtarinë politike, si një hapësirë e përbashkët njerëzore. Ngase ato janë dy mjete dhe forca anti-politike.
Prandaj, mbajta e tyre sa më shumë që të jetë e mundur larg sferës publike dhe politike është kusht i domosdoshëm për mirëfunksionimin republikan të një shoqërie. Prandaj edhe kompilimi i këtyre eseve në të njëjtin libër nuk është i rastësishëm.
Kështu, nuk ka gabim më të madh teorik sesa konceptimi i pushtetit në terma të dhunës dhe forcës. Përkundrazi, kjo e fundit merr hov dhe fillon të perceptohet si një solucion pikërisht për ta kompensuar rënien dhe mungesën e pushtetit, sepse në kuptimin politik pushteti ndërtohet vetëm falë kapacitetit të njerëzve për bashkëveprim. Prandaj, politika fillon mes njerëzve. Ajo është çdo herë kategori plurale.
Dhe mund të manifestohet në hapësira të përbashkëta publike. Me këtë rast duke filluar që nga qytetet shtete-greke e deri te strukturat moderne përfaqësuese, mbrojta e lirisë politike nga kultura e dhunës ka qenë qëllim primar i këtyre organizimeve. Ngase po shpërtheu kjo e fundit brenda një trupi politik rikthimi i gjendjes së mëparshme thuajse është i pamundur.
Është në “natyrën e dhunës që të bëjë botën vetëm më të dhunshme dhe jo më stabile”. E që shoqëritë njerëzore të mbrohen nga efektet destruktive të saj ka lindur politika dhe shteti. Kurse origjinën e këtij koncepti mund ta kërkojmë që te Thomas Hobbes. Sipas këtij mendimtari shteti u lind pikërisht si një mekanizëm për të shmangën gjendjen natyrore të njerëzve ku dominonte dhuna e të gjithëve kundër të gjithëve.
Kurse për Hegelin shteti edhe mund ta ketë origjinën në dhunë, mirëpo kjo e fundit nuk përkon me qëllimet e shtetit.
Në anën tjetër, sipas Arendt, një “mekanizëm” tjetër vital në funksion të stabilizimit të aksionit politik mbetet aftësia njerëzore për t’i “dhënë dhe mbajtur premtimet”. Është kjo cilësi që ka qenë vendimtare në traditën e mendimit perëndimor politik. Mbi këtë frymë mori jetë “sistemi legal Romak”.
Në këtë kontekst, “shenjtërimi” i marrëveshjeve dhe trakteve ndërmjet palëve deri në ditët e sotme, sikurse bie fjala obligimi i shteteve për t’i zbatuar marrëveshjet sipas së drejtës ndërkombëtare, janë një formë më e sofistikuar, pikërisht e kësaj tradite juridike dhe politike. Variantet moderne të kontratave sociale apo kushtetutave demokratike dhe republikane nuk janë asgjë tjetër pos pakte politike që qytetarët e një vendi me vullnet të lirë i kanë premtuar njëri tjetrit për të jetuar dhe vepruar sipas një marrëveshjeje kolektive.
Me këtë rast, kurdo që cenohet ky parim në mënyrë të vetëdijshme apo të pavetëdijshme, shprishen themelet e përbashkëta politike të një shoqërie duke ndikuar që atë shoqëri ta pushtojë pasiguria, frika, fragjiliteti, mosbesimi, si dhe mashtrimi i të gjithëve kundër të gjithëve. Pikërisht, kjo aftësi për të mbajtur premtimet e bëra para tjerëve është simbol i lirisë në politikë dhe dëshmi e zotërimit të vetvetes. Madje ky standard dallon nga mësimet filozofike sokratike.
Sipas Michel Foucault në veprën e tij “The Hermeneutics of the Subject” kur Sokrati filloi ta instruktonte Alkibiadin, një i ri ky i rretheve aristokratike të kohës me ambicie politike, e këshillonte këtë të fundit se nuk mund të merret seriozisht me çështje politike pa e kultivuar paraprakisht “njohjen e vetvetes” apo “brengën për veten”. Ky detyrim që grekët e patën quajtur “Epilemia hauton’ apo latinët ‘cura sui’ parimisht u drejtohej atyre që dëshironin t’i qeverisnin të tjerët sesi të shndërrohen në shtetarë të mirë”. Kurse, zbatimi i plotë i tij e shënonte një kusht për sundimin e të tjerëve. E ky kriter nuk mund të plotësohej pa e zotëruar aftësinë për ta komanduar veten.
Mirëpo, nëse ky standard ishte kultivuar vetëm brenda përvojës singulare të njeriut, kategoria e premtimit dhe zotimit për ta mbajtur atë para tjerëve u vlerësua si një solucion tipik politik për shkak të karakterit plural të kësaj të fundit.
Ekstrapolimi i këtyre konstatimeve teorike na ndihmon t’i shohim më nga afër disa nga shkaqet e krizave që e kanë pushtuar shtetin e Kosovës tash e një kohë të gjatë. Për më tepër, ato janë shndërruar në një rreth vicioz që po e ushqejnë vetveten, duke e bërë shtegdaljen nga kjo gjendje humneruese një mision të pamundur. Skena politike në vend ka kohë që e ka shndërruar si standard shpërfilljen e premtimeve të bëra para qytetarëve të Kosovës gjatë fushatave elektorale, duke e trajtuar këtë aspekt të politikës, jo si esencën e saj, por vetëm si mjet për një spektakël momental zgjedhor. Pra duke mos e vlerësuar atë si mjet për zotim para publikut, por duke manipuluar, se kush po i përndez më shumë emocionet, dëshirat dhe shpresat zgjedhore momentale. Mirëpo, kjo qasje e shpërfilljes së premtimeve, qoftë nga pamundësia apo nga papërgjegjësia, shndërrohet në burim të një zhgënjimi të përgjithshëm dhe apatie shoqërore, se politika nuk është jeta jonë e përbashkët, por ajo është një entitet në vetvete i ndarë nga realiteti i përditshëm dhe ka të bëjë vetëm me mashtrimin. Atëherë kjo e fundit bëhet strehë vetëm për militantët, por jo edhe për qytetarët e zakonshëm të vendit. Sepse këta të fundit nuk mund të identifikohen me këtë formë të tjetërsuar të veprimit.
Ndërkohë, në “mungesë të mesit të artë”, dhuna shfaqet si e vetmja mundësi dhe shans për përftim të relevancës së humbur publike. Sepse, pas mashtrimit të qytetarëve, ndikimi politik kërkohet të konservohet vetëm brenda një mediumi të ngushtë fanatik. Kjo ndikon që partitë të pushtohen nga e njëjta mendësi dhe ta ushqejnë sindromën e sjelljeve identike te njëra tjetrës, duke e thelluar kështu edhe më shumë ciklin e krizave politike, shtetërore, sociale dhe ekonomike.
Është ky patos i përbashkët i cili ka ndikuar që dhuna dhe mashtrimi ta reprodukojnë vetveten qe një kohë të gjatë në skenën politike të vendit. Dhe të shndërrohen në burim të krizave të vazhdueshme politike që po e mbajnë peng të ardhmen e republikës, si dhe ta tjetërsojnë këtë fundit vetëm në mjet për akomodimin e klientelës së tyre, e jo në shtëpinë e përbashkët të qytetarëve.