Kroacia, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut urojnë Kosovën mike për Ditën e Pavarësisë

Prishtinë | 15 Shk 2020 | 16:57 | Nga Ekonomia Online

Në 12 Vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, presidenti Thaçi ka pranuar urime nga Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq, nga Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, si dhe nga Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Në letrën e saj dërguar presidentit Thaçi, presidentja e Kroacisë ka shkruar se beson fuqishëm se marrëdhëniet tradicionalisht miqësore, bashkëpunimi frytdhënës në mes të Kroacisë dhe Kosovës do të zhvillohen më tej dhe do të forcohen në fusha të ndryshme me interes të përbashkët, posaçërisht në ekonomi, ku ka potencial në shumë sektorë, njofton Klan Kosova.

“Republika e Kroacisë, si mike e juaja, mbështet fuqishëm të ardhmen e Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në Aleancën Veri-Atlantike dhe është e vullnetshme të vazhdojë të mbështesë dhe të transferojë dijen edhe përvojën e saj të arritur në procesin e integrimit Evro-Atlantik”, thuhet në letrën e presidentes Grabar-Kitaroviq.

Ndërsa,  Radev duke shprehur urimet për Ditën e Pavarësisë në letrën e tij ndër tjera ka shkruar se “më tepër se dhjetë vjet në mënyrë sistematike kemi ndërtuar marrëdhëniet tona në frymën e miqësisë dhe partneritetit, që është bazë solide dhe potencial për zhvillimin e ardhshëm dhe thellimin e bashkëpunimit në mes të Republikës së Bullgarisë dhe Republikës së Kosovës”.

“Besoj se ndajmë mendimin e përbashkët që vlerat evropiane dhe euroatlantike janë bazë për stabilitetin në rajon dhe që në të ardhmen do të vazhdojmë të punojmë së bashku edhe më thellësisht për aplikimin dhe për afirmimin e tyre. Përfitoj nga rasti edhe njëherë, të nënvizoj mbështetjen e Republikës së Bullgarisë për perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës”.

Presidenti i shtetit fqinj, Pendarovski, krahas urimit tha se është i kënaqur me marrëdhëniet e krijuara mes shteteve.

“Për më tepër, dua të shfrytëzoj këtë mundësi dhe të shpreh kënaqësinë time me nivelin që dy shtetet e tona kanë arritur në zhvillimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimin mes tyre, duke qenë i bindur se ato do të vazhdojnë të intensifikohen në të gjitha fushat me interes të përbashkët gjatë muajve dhe viteve në vijim”, shkruan në letrën e tij presidenti Pendarovksi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme