Qeveria e Kosovës ka mbështetur kërkesën e Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, për të ndarë nga buxheti i kësaj ministrie shumën prej 100,000 euro në mbështetje të vendit dhe popullit mik kroat.
Për këtë veprim, Haradinajn e ka falënderuar ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barrisic përmes një postimi në Twitter.
“Faleminderit ministrja Meliza Haradinaj, faleminderit kabinetit të Qeverisë dhe njerëzve të Kosovës”, ka shkruar ajo.
Në ndërkohë Qeveria e Kosovës ka ndarë 100 mijë euro ndihmë për Kroacinë pas tërmetit të fuqishëm që goditi këtë shtet dy ditë më parë.
Këto mjetet janë ndarë nga qeveria e Kosovës pas kërkesës së MPJD-së.
“Qeveria Republikës së Kosovës ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, për ndarje të mjeteve financiare në shumën prej 100 mijë euro, për mbështetjen e Republikës së Kroacisë, pas tërmetit që ka goditur këtë vend. Me këtë vendim, Qeveria e Republikës së Kosovës, rreshtohet përkrah shteteve solidare të cilat po e ndihmojnë Republikën e Kroacisë, në sanimin e dëmeve që ka shkaktuar tërmeti. Qeveria e Republikës së Kosovës edhe në këtë rast shpreh zotimin dhe gatishmërinë që të ndihmojë qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kroacisë në tejkalimin e situatës së rëndë me të cilën po përballen, pas tërmetit i cili ditë më parë goditi këtë vend.”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.