Gjykata e Lartë e Kroacisë refuzoi ekstradimin e një shtetasi të Bosnjës, të kërkuar nga Tunizia, për përfshirjen e tij të dyshuar në vrasjen e një tuniziani, për të cilin grupi palestinez Hamas thotë se ka qenë pjesëtar i tij.
Gjykata kroate tha se Tunizia nuk ka dhënë garanci se boshnjaku i arrestuar, Alem Çamxhiq, nëse dorëzohet, nuk do të përballet me dënim të mundshëm me vdekje.
“Nuk ka dilemë se i dyshuari akuzohet për një nga krimet më të këqija, por kur ekziston rreziku i dënimit të mundshëm me vdekje, ekstradimi nuk mund të lejohet”, tha gjykata.
Javë më parë, Bosnja dhe Hercegovina po ashtu ka refuzuar ekstradimin e një të dyshuari tjetër për të njëjtin rast.
Mohammed al-Zawari, inxhinier i hapësirës ajrore dhe ekspert i avionëve, është qëlluar për vdekje në dhjetor të vitit 2016, pranë qytetit tunizian Sfaks.
Autoritetet në Tunizi kanë thënë se kanë arrestuar dhjetë tunizianë, porse dy shtetas të Bosnjës që kanë ndihmuar në komplotimin e vrasjes, kanë ikur.