Rusia e nisi turneun pas serisë prej shtatë ndeshjeve miqësore pa fitore, duke nxitur frikën se mund të bëhet vetëm nikoqirja e dytë e Kupës së Botës që eliminohet në grup, me gjithë shortin e favorshëm.
Megjithatë, kjo drojë u largua shpejt, pas fitores 5:0 ndaj Arabisë Saudite dhe 3:1 ndaj Egjiptit. Rusët kanë pasur shumë më tepër vështirësi në dy ndeshjet e tjera, ndaj Uruguait e Spanjës, në të cilat kanë pasur vetëm nga një gjuajtje të saktë në drejtim të portës, transmeton Koha Ditore.
Në dy këto ndeshje Rusia lejoi rivalin që të dominojë në posedim të topit dhe ky trend mund të vazhdojë edhe në ndeshjen ndaj Kroacisë, forca e së cilës buron nga mesfusha.
Rusia e Kroacia takohen të shtunën mbrëma (20:00) në Sochi, në ndeshjen e fundit çerekfinale të botërorit. Për të dy përfaqësueset, sidomos për Rusinë, çerekfinalja është sukses, por si Rusia ashtu edhe Kroacia kërkojnë të kalojnë tutje dhe shohin se kanë rast të mirë për këtë.