Kroos, nga figura tragjike në hero për Gjermaninë

Prishtinë | 25 Qer 2018 | 10:05 | Nga

Toni Kroos nuk është lojtar për fjalë të mëdha apo gjeste. Gjermani i parë që ka fituar Ligën e Kampionëve katër herë, nuk pëlqen të jetë në qendër të vëmendjes, duke preferuar të kalojë më tepër kohë me familjen e vet.

Mirëpo, kur gjuajtja e tij e lirë në minutën e 95-të në ndeshjen ndaj Suedisë përfundoi në rrjetë dhe i dha kampionit në fuqi të botës Gjermanisë mundësi të mëdha për të kaluar fazën e grupeve në Botërorin “Rusia 2018”, emocionet e tij sigurisht se shpërthyen, shkruan “FIFA.com”, transmeton “Koha Ditore”. Ai vrapoi te flamuri i kornerit afër pjesës së tribunave ku ishin tifozët gjermanë në stadiumin në Sochi, ngriti grushtin në mënyrë triumfale, më pas hapi duart e tij dhe bërtiti nga gëzimi dhe lehtësimi i madh.

Titujt kritikë ndaj Kroosit dhe përfaqësueses së Gjermanisë ishin bërë gati të publikohen. Gjermania sërish kishte kaluar në disavantazh 1:0, kësaj radhe ndaj Suedisë, pas një pasimi të gabuar të Kroosit, njeriut që njihet si pasuesi më i mirë në përfaqësuesen e Gjermanisë.

Vërtet ai është i njohur nëpër botë për saktësinë e tij dhe sigurinë me top, kështu që të bëhej një gabim i tillë nga ai ishte dëshmi se Gjermania po shkonte drejt eliminimit.

“Nëse bën 400 pasime, atëherë një apo dy sigurisht se mund të shkojnë keq”, tha Kroos për gazetarët pas ndeshjes. “Të duhet kurajë të luash siç kemi luajtur ne në pjesën e dytë. Por askush nuk e sheh këtë. Ne ishim vërtet të mirë, por nuk po arrinim të shënonim gol. Mendoj se e merituam atë gol të vonshëm” .

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme