Kryediplomati kinez viziton Moskën, paralajmëron “marrëveshje të reja”

Prishtinë | 22 Shk 2023 | 11:30 | Nga Ekonomia Online

Kryediplomati kinez, Wang Yi, i tha të mërkurën ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, se ai pret me padurim arritjen e marrëveshjeve të reja, duke mos dhënë detaje specifike se çfarë marrëveshjesh mund të arrihen gjatë vizitës së tij në Moskë.

“Miku im i dashur, jam i gatshëm të shkëmbej mendime me ju për çështje me interes të përbashkët dhe mezi pres të arrijmë marrëveshje të reja”, tha zyrtari më i lartë për politika të jashtme në Partinë Komuniste të Kinës.

“Pavarësisht se si ndryshon situata ndërkombëtare, Kina ka qenë dhe mbetet e angazhuar, së bashku me Rusinë, për të ruajtur trendin pozitiv në zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet fuqive të mëdha”, tha Wang Yi.

Vizita e tij në Rusi vjen në prag të shënimit të njëvjetorit të nisjes së luftës në Ukrainë.

Ai tha se “falë përpjekjeve” të presidentit kinez, Xi Jinping, dhe atij rus, Vladimir Putin, marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve po zhvillohen “në mënyrë shumë dinamike”.

“Rusia dhe Kina mbeten të vendosura dhe të përkushtuara për një bote multipolare”, tha diplomati kinez.

Wang Yi tha se do të punojë për t’i “forcuar dhe thelluar” marrëdhëniet midis Moskës dhe Pekinit.

Më vonë gjatë ditës, ai pritet të takohet edhe me Putinin, raporton BBC.

Kina ka mbajtur një qëndrim shpeshherë kontradiktor lidhur me pushtimin e Ukrainës nga Rusia.

Kina ka refuzuar ta kritikojë Rusinë për veprimet e saj dhe, madje, nuk ka pranuar as ta quajë pushtim. Ndërkohë, ajo insiston se duhet të ruhet sovraniteti dhe integriteti territorial i çdo vendi.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, gjatë një takimi virtual me presidentin e Kinës, Xi Jingping, 30 dhjetor 2022.

Tani po ngrihen dyshime të reja mbi gatishmërinë potenciale të Kinës për t’i ofruar Moskës ndihmë ushtarake në luftën që po vazhdon.

Në një intervistë që u publikua më 19 shkurt, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se inteligjenca amerikane ka sugjeruar se Kina është duke e shqyrtuar mundësinë e furnizimit me armatim për Rusinë. Ai tha se një përfshirje e tillë në luftën e Rusisë do të ishte “problem serioz”.

Forcat ruse dhe kineze kanë mbajtur stërvitje të përbashkëta ushtarake pas nisjes së luftës në Ukrainë. Së fundi, ata kishin dërguar anije për disa stërvitje me flotën e Afrikës së Jugut.

Të ngjashme