Kryediplomati malazez: Kufirin me Kosovën nga koha e Jugosllavisë askush s’e kontestonte

Prishtinë | 07 Nën 2017 | 15:19 | Nga

Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Srdjan Darmanovic, pasi dje ka hedhur poshtë mundësinë që çështja e demarkacionit me Kosovën të shqyrtohet në arbitrazh, në një paraqitje tjetër në televizionin e Malit të Zi i është kthyer përsëri kësaj çështjeje. Kryediplomati malazez ka thënë se shpreson që demarkacioni nuk do t’i përkeqësojë raportet ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Darmanoviq ka thënë se Mali i Zi dhe Kosova kanë raporte të shkëlqyeshme në të gjitha fushat, prandaj nuk është e drejtë të thuhet se çështja e kufirit do t’i përkeqësojë raportet mes dy vendeve.

“Kemi raporte shumë të mira me Kosovën në të gjitha fushat, bashkëpunim shumë të mirë në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe raporte shumë të mira bilaterale. Po ashtu, besoj se kjo do të jetë model edhe për çështjen e demarkacionit”, ka thënë ai.

Darmanoviq ka thënë se kufiri Kosovë – Mal i Zi është një kufi i vjetër brenda Jugosllavisë që nuk është kontestuar asnjëherë, duke theksuar se Podgorica nuk do t’i kthehet më kësaj teme.

“Bëhet fjalë për kufi të vjetër brenda Jugosllavisë që nuk është vënë në dyshim asnjëherë e që nuk është konfirmuar jo vetëm nga një, por nga dy komisione ndërkombëtare, sikurse edhe nga zyrtarët malazezë e ata nga Kosova, në një atmosferë reciproke të mirëkuptimit. Mali i Zi e ka ratifikuar pa asnjë problem duke u bazuar në të drejtën ndërkombëtare. Mali i Zi nuk do t’i kthehet më kësaj teme. Ne thjeshtë e kemi ratifikuar një marrëveshje ndërkombëtare që është mbështetur nga të dyja palët”, ka thënë ai.

Të ngjashme