Kryediplomati turk i quan “të rrezikshme” sanksionet amerikane ndaj Iranit

Prishtinë | 06 Nën 2018 | 11:41 | Nga Ekonomia Online

Diplomati kryesor i Turqisë ka kritikuar të martën rikthimin e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Iranit, duke i cilësuar ato si të njëanshme, të pamençura dhe të rrezikshme ndërsa insistoi për dialog dhe angazhim.

Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavushoglu, i cili ndodhet në Tokio për bisedime me liderët japonezë, ka thënë para gazetarëve se Turqia i kundërshton sanksionet shkaku se beson që ato nuk do të prodhojnë rezultate.

“Si parim, Turqia është kundër sanksioneve dhe ne nuk besojmë se ndonjë rezultat mund të arrihet nëpërmjet sanksioneve”, tha ai. “Mbërthimi nuk është hap i mençur, izolimi i Iranit është gjë e rrezikshme ndërsa ndëshkimi i popullit iranian nuk është e drejtë”.

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, riktheu të hënën të gjitha sanksionet e shfuqizuara më herët ndaj Iranit. Turqia është një aleate e SHBA-së dhe njëra prej gjashtë importueseve kryesore të naftës iraniane, e cila është kursyer përkohësisht nga ndëshkimet e parapara me sanksione për vendet që bëjnë biznes me Republikën Islamike.

Me gjithë këtë, Turqia duhet të tregohet e sinqertë me SHBA-në lidhur me kundërshtimin e saj, tha Çavushoglu. Masat e “njëanshme” të SHBA-së godasin botën mbarë, përfshirë Turqinë, vend ky që një të tretën e gazit natyror e siguron nga Irani, tha ai dhe i bëri thirrje Washingtonit që të gjejë zgjidhje të tjera më të arsyeshme. “Mendoj se në vend të sanksioneve, dialogu kuptimplotë dhe angazhimi janë dukshëm më të dobishëm dhe ky është parim yni”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme