Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha të martën në Moskë pas takimit me homologun rus, Sergei Lavrov, se vendi i saj është i gatshëm që t’i mbrojë vlerat themelore në konfliktin me Rusinë për Ukrainën, edhe nëse kjo nënkupton që të paguhet një çmim i lartë ekonomik.
Kryediplomatja gjermane udhëtoi drejt Moskës pas vizitës në Kiev të Ukrainës të hënën. Vizita e saj në Evropën Lindore erdhi pas bisedimeve mes Rusisë e Perëndimit rreth dërgimit të dhjetëra mijëra trupave ruse përgjatë kufirit me Ukrainën, të cilat nuk prodhuan ndonjë marrëveshje me peshë javën e kaluar.
“Nuk kemi opsion tjetër, edhe nëse kjo nënkupton pagimin e një çmimi të lartë ekonomik. Gjermania ka ritheksuar se, në rast se energjia përdoret si armë, kjo do të kishte pasoja ndaj gazsjellësit (Nord Stream 2, që lidh Rusinë me Gjermaninë)”, tha ajo në konferencën e përbashkët për gazetarë me ministrin Lavrov.