Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka uruar me rastin e 30 Qershorit, Dita Ndërkombëtare të Parlamentarizmit.
“30 Qershori është ‘Dita Ndërkombëtare e Parlamentarizmit’- ditë kjo që na kujton vitin e largët 1889, kur u krijua organizata globale e parlamenteve ‘Inter-Parliamentary Union’.
Ndërsa, në vitin 2018, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara njohu rolin e parlamenteve në botë dhe strategjitë kombëtare në sigurimin e transparencës dhe llogaridhënies më të madhe në nivel kombëtar dhe global.
Pjesë e parlamenteve të botës tashmë është edhe Kuvendi i Republikës së Kosovës, i ndërtuar mbi themelet e sakrificës sublime të popullit dhe luftës heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Prandaj, duke uruar për Ditën Ndërkombëtare të Parlamentarizmit, si Kryetar i Kuvendit, bashkë me përfaqësuesit e popullit, zotohemi se do të jemi gurthemel i demokracisë, zë i fuqishëm i ligjësisë, si dhe do të punojmë pareshtur për mirëqenien e përgjithshme të qytetarëve dhe forcimin e shtetit tonë”, thuhet në urimin e kryekuvendarit Konjufca.