Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi në një intervistë për VOA-n tha se zgjidhja e krizës politike mund të ndodhë vetëm nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Sipas kryemadhit problemi më i madh i shqiptarëve sot nuk është zgjedhje të parakohshme ose jo, por zgjedhjet e lira.
VOA: Si zgjidhet kriza politike?
Monika Kryemadhi: Zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk ka rëndësi se si janë. Mirë do ishte të ishin të parakohshme në mënyrë që të mbylleshin një herë e përgjithmonë kriza, por unë nuk mendoj që sot problemi më i madh është data e zgjedhjeve. Sot problemi më i madh janë standardet e zgjedhjeve dhe besimi që duhet t’i kthejmë shqiptarëve, që zgjedhjet do jenë të lira dhe të ndershme.
Ajo që i ka munguar klasës shqiptare ka qenë vullneti i mirë politik dhe vëmendja e politikës shqiptare, ndaj qytetarëve të saj dhe ndaj të gjithë komponentëve politikë dhe politikë bërës që janë.
Gjithashtu Kryemadhi kishte edhe nje mësazh për anëtarë e Gjykatës Kushtetuese.
Monika Kryemadhi: Mendoj që krijimi i Gjykatës Kushtetuese dhe fillimi i funksionimit të saj, pavarësisht se si mund të jenë vendimet të mira apo të këqija do krijonte mundësinë e shqyrtimit të ngërçit. Unë i uroj suksese të gjithë anëtarëve të Gjykatës, nuk njoh asnjërin prej tyre dhe nuk është se kam ndonjë indicie, por shpresoj të jenë të drejtë në mënyrë që të mos i gjykojë populli, por zoti lartë në mënyrën më të mirë.