Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, është raportuar në polici nga deputetët e opozitës për shkak të dyshimeve për shkeljen e masave kundër koronavirusit.
Deputetët e Partisë Laburiste në opozitë pretendojnë se në ndërtesën e qeverisë janë mbajtur të paktën dy ndeja gjatë kufizimeve të vitit të kaluar, raportoh The Guardian.
Deputeti opozitar, Neil Coyle, i shkroi komisioneres së policisë metropolitane, Cressida Dick, për t’i kërkuar hetim të raportimeve se kryeministri ka folur në një ndejë për pensionimin e dikujt në nëntor dhe gjithashtu ka lejuar një ndejë të stafit për Kërshëndella në dhjetor.
Në atë kohë, në Britani kishte në fuqi masa kufizuese për socializim. Pasi e dërgoi letrën në polici, deputeti Coyle tha: “Unë besoj se ata e kanë shkelur ligjin. Shumica e kolegëve të mi i ndoqën rregullat; ata që nuk e kanë bërë këtë janë përballur me ndëshkime.”
“Johnson nuk është mbi ligjin, pavarësisht vetautorizimit të vet të kapardisur”, shtoi deputeti i opozitës.