Boyko Borissov, Kryeministri i Bullgarisë po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri, ku është pritur nga Kryeministri Rama. Thellimi i bashkëpunimit dhe mbështetje në procesin e integrimit të Shqipërisë janë në qendër të këtij takimi.
Në konferencën e përbashkët me homologun e tij bullgar Boyko Borissov, Kryeministri Rama e vlerësoi homologun e tij se ka bërë avokatin e Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit.
“Marrëdhënia me bullgarinë është jashtëzakonisht pozitive. Borisov ka bërë avokatin e Shqipërisë në BE”, tha Rama.
Rama tha se Bullgaria sot jep shembull të shkëlqyer në bashkëpunimin me BE. “Miqtë tanë bullgarë na ofrojnë ndihmën me eksperiencën e tyre”, tha Rama.
Ndërkohë, Boyko Borissov u shpreh se Shqipërisë duhet t’i jept një datë dhe rrugë për fillimin e negociatave.
“Merkel thotë se Ballkani Perëndimor është tema më e vështirë që mund të zgjidhet, por me rëndësi që të zgjidhet. Sa më mirë të jetë rajoni, aq më të mëdha janë mundësitë për bashkëpunim. Shqipërisë duhet t’i jepet një datë dhe rrugë për fillimin e negociatave. Tregojmë përpjekje që duhet t’i bindim shtetet skeptike deri në fund të qershorit”, tha Borissov.