Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në Ekspozitën e Artizanaleve nga Shajaku, organizuar nga organizata e grave “Orkide”, në Prizren.
Kryeministri Haradinaj tha se është i gëzuar që sheh një bashkëpunim ndërmjet shumë organizatave dhe grave të Prizrenit, një porosi kjo e mirë e ruajtjes së traditës së Shajakut, por dhe për të krijuar shpresë për vende të punës në të ardhmen.
Duke falënderuar të gjithë ata që janë meritor për suksesin e sotëm, kryeministri Haradinaj tha sa të mirë jemi ne, sidomos sa të mirë janë edhe turqit e Kosovës.
“Kosova është shembull i bashkëpunimit të komuniteteve dhe ju mund të llogaritni në miqësinë tonë me Turqinë. Populli i Kosovës është falënderues për përkrahjen e Republikës së Turqisë dhënë Kosovës. Jemi një vend i vogël me shumë sfida, që synojmë anëtarësimin në Evropë dhe NATO, dhe nuk është e lehtë për një vend të vogël si Kosova. Kemi nevojë për më shumë njohje të vendeve të botës, por gjithë e dimë se Kosova nuk e harron ndihmën, përkrahjen dhe respektin që na bëhet”, tha kryeministri Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj, në shenjë mirënjohje kryetares së organizatës së grave “Orkide”, Sevgi Kervan, i ka dhuruar librin “Kosova”, në të cilën është e përmbledhur e gjithë pasuria e Kosovës.
Në fjalën e saj kryetarja e organizatës së grave “Orkide”, Sevgi Kervan, falënderoi kryeministrin Haradinaj për pjesëmarrjen në këtë ekspozitë.
Nga një fjalë e kanë mbajtur edhe ambasadori i Republikës së Turqisë në Kosovë, Çagri Sakar dhe deputeti Fikrim Damka.
Të pranishëm në këtë ngjarje ishin edhe përfaqësues të tjerë të institucioneve lokale e qendrore.