Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Lorenzo D’Addario me të cilin ka biseduar për zhvillimet aktuale në vend.
Kryeministri Haradinaj fillimisht falënderoi komandantin D’Addario për punën që po bëjnë ushtarët e KFOR-it për krijimin e një klime paqësore dhe një mjedis të qetë për të gjithë qytetarët në Kosovë.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj ka vlerësuar rolin dhe kontributin e KFOR-it në mbajtjen e stabilitetit të qëndrueshëm në Kosovë. Bashkëbiseduesit, vlerësuan se gjendja e sigurisë në Kosovë është e qetë dhe stabile dhe se bashkëpunimi ndërmjet KFOR-it dhe institucioneve vendore të sigurisë është i shkëlqyeshëm.
Institucionet dhe të gjithë mekanizmat e sigurisë së Kosovës janë partnerë të përhershëm dhe të besueshëm të misionit të NATO-s për paqe dhe stabilitet.