Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj dhe Ambasadori i Zvicrës në Kosove, Jean-Hubert Lebet, sot kanë nënshkruar marrëveshjen për vazhdimin e përkrahjes nga Qeveria Zvicerane ndaj Këshillit Ndërministror për Ujëra në Kosovë deri në vitin 2020.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj ka falënderuar Qeverinë e Zvicrës për ndihmën që i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Kosovës në të gjitha fushat, veçmas në atë të ujërave.
Kryeministri Haradinaj ka vlerësuar lart kontributin e shtetit zviceran për Projektet e financuara, e të cilat kanë ngritur furnizimin me ujë të pijes te shumica e amvisërive në Kosovë, si në zonat rurale poashtu ato urbane, prej 47% mbulueshmëri në vitin 1999 në gati 94% furnizim me ujë në ditët e sotme.
Qeveria e Zvicrës që nga viti 1999, në vazhdimësi ka përkrahur sektorin e ujërave në Kosovë në të gjitha nivelet dhe prej vitit 2009 është përkrahëse e Këshillit Ndërministror për Ujëra në Kosovë që nga themelimi i tij.
Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet, tha se me këtë marrëveshje Qeveria Zvicerane do të vazhdojë mbështetjen e Këshillit Ndërministror për Ujëra deri në vitin 2020.