Mali i zi është i gatshëm që ta forcojë pozitën në Kosovë. Kështu ka thënë sot kryeministri i Malit të Zi Milojko Spajiq gjatë një konferencë të përbashkët, pas takimit që pati me me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Spajiq u pyet për mundësinë e forcimit të pranisë së Malit të Zi në misionet në rajon dhe në krahun lindor të Aleancës dhe tha se stabiliteti i Ballkanit është i një rëndësie më të madhe për Malin e Zi.
Duke folur për prezencën në Kosovë, Spajiq thotë se tashmë Mali i zi është shumë i pranishëm në Kosovë.
“Ne jemi të gatshëm të forcojmë pozitën tonë në Kosovë. Mendojmë se situata është qetësuar kohëve të fundit, por siç diskutuam, jemi gjithmonë të gatshëm të ndihmojmë dhe është në interesin tonë të thellë kombëtar që të ruajmë paqen në Kosovë. E njëjta gjë vlen edhe për Bosnjë dhe Hercegovinën. Angazhimi ynë i palëkundur për integritetin territorial dhe paqen e Bosnje dhe Hercegovinës është i një rëndësie të madhe për Malin e Zi. Ne ndajmë një kufi të madh me Bosnjën dhe Hercegovinën, kështu që ne jemi patjetër të gatshëm të jemi një aleat i besueshëm në NATO në çdo formë”, tha ai.
“Së bashku arritëm në përfundimin se Mali i Zi kontribuon në mënyrë aktive në detyrat kyçe të NATO-s dhe të mbrojtjes kolektive në përgjithësi. Ne konfirmuam praninë tonë në Lindje, në Letoni, Bullgari, Irak dhe Kosovë. Rikonfirmova gjithashtu angazhimin tonë të vendosur për të vazhduar mbështetjen e Ukrainës për aq kohë sa është e nevojshme në luftën e saj për sovranitet dhe zbatimin e reformave të rëndësishme si për rrugën drejt BE-së ashtu edhe për NATO-n”, tha kryeministri malazez.
Ballkani Perëndimor, forcimi i NATO-s, dhe përgatitjet për samitin e Uashingtonit, kanë qenë temat kryesore të këtij takimi.
“Situata në rajonin e Ballkanit Perëndimor mbetet e brishtë. Dhuna që ka shpërthyer në Kosovë ishte e papranueshme. Kjo ka bërë që NATO-ja menjëherë të angazhojë forca shtesë në Kosovë“, ka thënë Stoltemberg.
Ai ka paralajmëruar se javën që vjen, Këshilli i Atlantikut të Veriut, trupi më i lartë politik i aleancës, do të vizitojë Bosnje – Hercegovinën, për të dëshmuar në këtë mënyrë edhe mbështetjen e parezervë për integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnje e Hercegovinës.
Stoltenberg e ka falënderuar Malin e Zi për kontributin në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, por edhe për rolin konstruktiv për paqe dhe stabilitet në rajonin e Ballkanit.