Kryeministri i përgjigjet Haradinajt: Policët punojnë sipas udhëzimeve të Prokurorisë

Prishtinë | 24 Tet 2020 | 17:57 | Nga Ekonomia Online

Shefi i Qeverisë, Avdullah Hoti, i është përgjigjur përsëri Ramush Haradinajt, duke thënë se shuarja e taks forcës antikorrupsion në Policinë e Kosovës nuk e zbeh luftën ndaj korrupsionit. Ka thënë se të gjithë policët që kanë qenë në task forcë do të punojnë sipas udhëzimeve të Prokurorisë Speciale.

“Puna e zyrtarëve që kanë qenë në kuadër të Task Forcës në Policinë e Kosovës vazhdon pa asnjë ndryshim në trajtimin e lëndëve të krimit dhe korrupsionit, sipas udhëzimeve të Prokurorisë Speciale”, ka shkruar Hoti, në një reagim në FB

Sipas tij, të gjithë ata zyrtarë vazhdojnë të kryejnë obligimet e tyre ligjore sipas organizimit të brendshëm të Policisë së Kosovës pa asnjë ndërhyrje nga askush.

“Kushdo që ka dyshime për këtë, le të përdorë të gjitha mjetet ligjore për të kërkuar mbikëqyrje dhe sqarime për punën e secilit”, ka shtuar ai.

Ndryshe, Ramush Haradinaj duke i reaguar Hotit pse e ka shuar task-forcen, ka thënë se sa herë Kushtetuta është respektuar për një parti ka dalë keq.

Reagimi i Haradinajt erdhi pasi Hoti tha se politika nuk duhet të përzihet në drejtësi dhe duhet të respektohet kushtetuta edhe sa i përket policisë.

“Politika nuk duhet të përzihet në drejtësi. Këtë e kemi bërë me vendimet që kemi marr në këta muaj të qeverisjes. Drejtësia duhet ta bëjë punën sipas ligjit, e jo sipas vendimeve të Qeverisë. Kthimi i ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vend duhet të jetë angazhim i të gjithëve”, ka shkruar Hoti, në një reagim.

“Siguria juridike garantohet vetëm duke respektuar Kushtetutën, ligjet dhe institucionet shtetërore”, ka shtuar ai.

Haradinaj doli kundër vendimit të Qeverisë për të shkarkuar një mekanizëm brenda Policisë së Kosovës i krijuar me vendim të Kryeministrit në vitin 2010.

Kjo task forcë kishte nisur arrestimin e figurave publike të profilit të lartë që dyshoheshin për korrupsion. Në shënjestër të tyre ishin edhe së paku tre kryetarë komunash.

Kundër shuarjes së kësaj task force kanë dalë edhe vendet e BE’së.

Të ngjashme