Kryeministri italian, Giuseppe Conte ka njoftuar për tërheqjen e një draft-deklarate të Bashkimit Evropian, pasi ka biseduar me kancelaren gjermane, Angela Merkel, transmeton Reuters.
Conte ka kërcënuar me mospjesëmarrje në takimin e liderëve në Bruksel në ditën e diel, si shenjë proteste kundër kësaj deklarate, e cila mes tjerash u bënë thirrje të gjithë azilkërkuesve të kthehen menjëherë në vendin e parë të hyrjes në BE-së, kryesisht në Itali.
“Kam pranuar një thirrje nga kancelarja gjermane, Angela Merkel. Ajo ishte e shqetësuar për mundësinë e mospjesëmarrjes sime në samitin për imigrim që mbahet në Bruksel”, ka njoftuar Conte në Facebook, duke thënë se nuk mund të pranojë deklaratën me përmbajtjen ekzistuese.
“Kancelarja ka qartësuar se ka qenë ‘keqkuptim’. Teksti që është publikuar dje do të largohet”, ka shtuar ai, duke thënë se tani mund të niset drejt Brukselit.