Kryeministri Kurti bëri homazhe në përkujtim të masakrës në Paklek të Drenasit

Prishtinë | 17 Pri 2024 | 19:48 | Nga Ekonomia Online

Në përkujtim të masakrës në Paklek të Drenasit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe dhe vendosi kurora me lule të freskëta. Në 25-vjetorin e kësaj masakre, kryeministri përkujtoi 54 civilët shqiptarë, të vrarë mizorisht nga gjenocidi i Ushtrisë së Serbisë.

Gjatë këtyre homazheve, Kryeministri Kurti, u shpreh se kjo masakër brutale nuk fshihet nga kujtesa e popullit shqiptar. Ai tha se kjo paraqet plagë të hapur e që kullon, meqenëse ende nuk ka drejtësi për krimet e kryera nga Serbia.

“Gjaku i derdhur, e kufomat të bëra hi, të cilat nuk kanë mundur të ndahen për t’u varrosur në mënyrë të dinjitetshme ndaras por është dashur që të bëhen bashkërisht, janë dëshmi e gjenocidit të Serbisë mbi popullin shqiptar të Kosovës”, tha kryeministri. Ai shtoi se fakti qe pasi që i kanë vrarë, i kanë grumbulluar e i kanë djegur në përpjekje për ta zhdukur gjurmën e krimit, tregon se sa fajtor janë ata kriminelë.

Kryeministri Kurti, ritheksoi se gjatë vitit të kaluar, më 1 qershor,  kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, i ka dërguar letër presidentit të Serbisë që të hapet arkiva e Brigadës së motorizuar 37 të Ushtrisë Jugosllave. E njëjta kërkesë i është dërguar edhe zëvendës presidentit të Komisionit Evropian, përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, por që ende nuk ka ndonjë përgjigje në lidhje me domosdoshmërinë e hapjes së arkivës.

Pas homazheve dhe vendosjes së luleve tek varrezat e të vrarëve, kryeministri Kurti, vizitoi edhe shtëpinë muze të familjes Muqolli, në të cilën janë vrarë dhe djegur civilë shqiptarë të pambrojtur, të paarmatosur.

Në Kompleksin Përkujtimor në këtë fshat, prehen eshtrat e 54 civilëve në një varrezë të përbashkët, të cilët janë vrarë, djegur, e masakruar nga forcat armike serbe, të cilët nuk kursyen as foshnjat 6 muajshe deri tek pleqtë të moshës 75 vjeçare. 25 prej të vrarëve ishin nën moshën 18 vjeçare. 18 persona prej tyre kanë qenë fëmijë, më të vegjël se 12 vjeç. Në mesin e tyre pesë foshnje prej gjashtë muaj e deri në dy vjeç. Lirie Muqolli ishte vetëm gjashtë muajshe atë kohë.

Në këto homazhe kryeministri Kurti, ishte i shoqëruar edhe nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, si dhe deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Të ngjashme