Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti sot ka mirëpritur ambasadorin e ri të Japonisë në Kosovë, Ryuta Mizuuchi.
Si një partner strategjik afatgjatë në rajon e i rajonit, Kryeministri Kurti falënderoi Japoninë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe për vendimin për të hapur ambasadën e saj në Kosovë. Ambasadorit Mizuuchi, i uroi mirëseardhje në Kosovë dhe i ofroi bashkëpunim të afërt të Zyrës së Kryeministrit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Në këtë takim të parë, u diskutua për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Japonisë, me theks te ato në rrafshin ekonomik. Kryeministri Kurti e njoftoi ambasadorin për përparimet e shënuara në dy vitet e fundit dhe për mundësitë dhe kushtet që Kosova ofron për investitorët e huaj.
Ambasadori Mizuuchi, i cili kishte vizituar Kosovën 15 vite më parë, u shpreh falënderues për mikpritjen. Ai tha se Japonia dhe Kosova ndajnë vlera dhe interesa të përbashkëta. Gjithashtu shprehu vlerësimin e tij pozitiv për qëndrimet e Kosovës në mbështetje të Ukrainës përballë agresionit rus.