Kryeministri Kurti në Forumin e Prespës: Duhet të ketë sinkronizim të plotë të Brukselit dhe Washingtonit

Prishtinë | 02 Kor 2021 | 20:02 | Nga Ekonomia Online

Liderët e rajonit, bashkë me përfaqësuesit më të lartë nga Evropa dhe ShBA-të, u mblodhën në Forumin e Prespës për Dialog, dhe diskutuan për temën “Ballkani Perëndimor: Pjesëza që mungon për të qenë Evropa e plotë” .

“Duhet të ketë sinkronizim të plotë të Brukselit dhe Washingtonit, ashtu që Moskës dhe Pekinit të mos i lejohet hapësirë për shfrytëzim”, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në panelin “Rivendosja e sinergjisë në mes BE-SHBA drejt Ballkanit Perëndimor”.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti theksoi se për të rinovuar aleancën transatlantike, nevojitet bashkëveprim mes Washingtonit dhe Brukselit në Ballkanin Perëndimor, dhe punë e përbashkët për tre qëllime: demokratizim duke forcuar sundimin e ligjit; siguri përmes anëtarësimit në NATO dhe unitet të Evropës përmes anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Ai ishte folës në panelin “Rivendosja e sinergjisë në mes BE-SHBA drejt Ballkanit Perëndimor”, i cili u hap nga presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, pasuar nga presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq dhe ai i Sllovenisë, Borut Pahor, ndihmëssekretari i Shtetit të ShBA-së për Evropë dhe Euroazi, Filip Riker si dhe komisionari i BE-së Johannes Hahn. Në këtë panel mori pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.

Fjala e plotë e Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Forumin e Prespës:

Më lejoni të filloj këtë adresim të shkurtër duke theksuar se edhe Republika e Kosovës është e zhgënjyer me refuzimin e BE-së, për herë të dytë, që të hap bisedimet për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke dërguar një mesazh dekurajues për rajonin tonë dhe agjendën tonë të reformave.

Duke qenë i vetmi vend, qytetarëve të të cilit po u mohohet liberalizimi i vizave, më besoni, ne e kuptojmë plotësisht zhgënjimin, por duhet të tregojmë forcë dhe durim dhe të mos marrim vendime të nxituara të cilat nuk i shërbejnë as interesit të vendeve tona, as interesit të qytetarëve dhe rajonit tonë.

Po, BE-ja është e ngadaltë. Po, i mungon uniteti, por prapë BE-ja është shpresa jonë më e mirë dhe të jem i sinqertë është e vetmja alternativë që kemi. Jo sepse nuk kemi zgjedhje, por sepse natyrshëm përkasim aty. Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e Evropës, të rrethuar nga vendet e BE-së. Ne ndajmë të njëjtat vlera, kemi një histori të përbashkët, kemi luftuar në të njëjtat luftëra dhe qytetarët dhe ekonomitë tona janë të lidhura.

Pra, në vend që të vazhdojmë të jemi të frustruar me BE-në, ne duhet të pyesim veten se çfarë lloj të ardhme duam dhe çfarë po bëjmë për të arritur atë.

Sepse, në fund të fundit, as ne nuk jemi të përsosur dhe nëse hedhim një vështrim të brendshëm dhe introspektivë ndaj vetes, e kuptojmë se kemi shumë probleme. Ka një luftë për demokratizim kundër autokratëve dhe për sundim të ligjit kundër kriminelëve dhe monopoleve. Disa kanë vështirësi të përballen me të kaluarën dhe pranimin e së vërtetës duke pretenduar se mund të ndërtojmë besim mes shoqërive dhe njerëzve tanë, thjesht duke injoruar atë që ka ndodhur, ose duke shpresuar se nëse refuzojmë ta njohim realitetin për një kohë të gjatë, ai do të ndryshojë disi. Ne duhet të shohim nga brenda, sepse nëse i shtrojmë pyetjet siç duhet, mund të kemi tashmë përgjigje për to.

Është fakt që kemi vështirësi në zbatimin e të drejtave themelore, funksionimin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe gjyqësor të pavarur, ekonomisë së zhvilluar dhe konkurruese, lirinë e mendimit dhe religjionit, respektimin e të drejtave të njeriut, të drejtave civile si dhe të drejtave të minoriteteve, për të cilat duhet t`i pyesim vetë minoritetet, lirinë e medieve dhe klimës politike ku opozita nuk shtypet.

Pra, po, një pjesë e madhe e përgjegjësisë i mbetet BE-së, por ne gjithashtu duhet të bëjmë detyrat e shtëpisë.

Ajo që nuk mund të bëjmë është të shmangim përgjegjësitë tona me veprime të cilat përfundojnë duke krijuar edhe më shumë konfuzion dhe ndarje midis nesh dhe rrjedhimisht mundësi për shfrytëzim nga të tjerët. E tillë është ideja Novi Sadit, e ashtuquajtur “Mini-Shengen”. Është iniciativë e cila nuk ka vizion për rajonin dhe si e tillë, Republika e Kosovës e refuzon fuqimisht dhe i bën thirrje të gjithëve që t’i përkushtohen agjendës së BE-së dhe marrëdhënieve transatlantike.

Pakënaqësia me Bashkimin Evropian nuk duhet të instrumentalizohet nga vendet që nuk e pëlqejnë NATO-n ose mbështesin Federatën Ruse.

Në Tiranë, në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor, unë propozova një kornizë për bashkëpunim që shikon përpara dhe sjell përfitime për të gjithë. Këtu dua të ngre tre çështje që kanë rëndësi të madhe për rajonin tonë dhe bashkëpunimin tonë transatlantik dhe që janë të ngjashme me tre pikat e bëra në Kuvendin tonë nga Ministri i Jashtëm i Italisë, Luigi Di Maio, në vizitën e tij të fundit në Prishtinë.

E para është demokratizimi i Ballkanit Perëndimor: Duhet të përshpejtojmë reformat të cilat e bëjnë transformimin tonë në demokraci funksionale. Si përfaqësues i një vendi i cili ka luftuar për shekuj, ne e kuptojmë më mirë se kushdo tjetër vlerën e lirisë. Por vetëm liria, pa institucione demokratike të cilat e materializojnë atë, nuk është e mjaftueshme, sepse kemi parë që kjo liri është marrë nga brenda prej diktatorëve dhe autokratëve.

Na duhet një demokraci funksionale për të institucionalizuar lirinë. Një demokraci ku pushteti suprem i besohet popullit. Një ndarje e pushteteve që i mban në kontroll autoritetet dhe i mban të përgjegjshëm përfaqësuesit e zgjedhur. Me liri të fjalës dhe liri të medieve, me liri për të protestuar dhe kritikuar pa frikën e kërcënimeve dhe persekutimit. Por edhe një demokraci me liri ekonomike, ku gjithsecili ka mundësi për jetë të denjë.

Kjo është arsyeja pse ne si demokratë promovojnë demokracinë sociale, sepse e kuptojmë që sikurse liria që ka nevojë për demokracinë, ashtu edhe demokracia ka nevojë për drejtësinë sociale. Duhet kuptuar që dora e padukshme që udhëheq tregun e lirë dhe rritjen, ka po ashtu nevojë për dorën e dukshme të qeverisë, për të siguruar që të gjithë të kenë mundësi të barabarta dhe të gjithë të paguajnë pjesën e tyre.

E dyta është siguria në Ballkanin Perëndimor. Këtu nuk ka shumë për të diskutuar. Rajoni duhet të bëhet pjesë e NATO-s. Vetëm duke u bërë anëtar të NATO-s mund të përgjigjemi në pyetjet e sigurisë së rajonit dhe besoj që tani është koha për të bërë progres konkret për shkak se për katër vitet e ardhshme kemi një president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili ka përvojë dhe e njeh Evropën dhe kompleksitetet e saj.

Dhe e treta është Uniteti i Evropës. Duke i pranuar gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Bashkimi Evropian do të rriste fuqinë e brendshme të tij, vetëbesimin dhe kohezionin, duke zvogëluar kufijtë dhe rreziqet e jashtme. Për këtë qëllim, ne mirëpresim iniciativat të cilat janë të bazuara në barazi, reciprocitet dhe njohje të realitetit dhe vërtetës.

Duke pranuar se duhet të punojmë shumë dhe duke kuptuar që korniza aktuale e bashkëpunimit rajonal nuk është e mjaftueshme për të na përgatitur për anëtarësim në BE, ne kemi propozuar një kornizë të re të bashkëpunimit të quajtur SEFTA, sipas modelit EFTA-EEA.

Me përfundimin e procesit të Berlinit, SEFTA (Zona e Tregtisë së Lirë e Evropës Juglindore) është përgjigjja e duhur për të ecur përpara, sepse rinovon zotimet e rajonit për reforma dhe shpresat për integrim në BE.

Për fund, besoj se e gjithë kjo mund të arrihet përmes një bashkëpunimi të ngushtë mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara. Duhet të ketë sinkronizim të plotë të Brukselit dhe Washingtonit në këtë drejtim, ashtu që Moskës dhe Pekinit të mos i lejohet asnjë hapësirë për shfrytëzim.

Faleminderit.

Të ngjashme