Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Republikës së Italisë, Luigi Di Maio.
Në një takim miqësor ku mori pjesë edhe Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, si dhe Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Itali, Lindita Haxhitasim, u diskutua për bashkëpunimin shumë të ngushtë të Kosovës me Italinë, si dhe afërsinë që ky vend i BE-së e ka me rajonin.
Ministri Di Maio e uroi Kryeministrin Kurti për marrje të detyrës si dhe shprehu gatishmërinë e shtetit italian për të ndihmuar në reformat në drejtësi, sipas modelit të implementuar në Itali. Poashtu, ai potencoi që Italia do të japë përkrahjen e saj në investimet e reja, të cilat stimulojnë punësimin e të rinjve.
Nga ana e tij, Kryeministri Kurti tha se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar në luftimin e krimit dhe korrupsionit si hap kryesor, si dhe investimet në fusha që gjenerojnë vende pune, sidomos për të rinjtë dhe gratë. Duke folur për rolin e BE-së si projekt i paqes dhe i prosperitetit, ai tha se kjo organizatë do të bëhet e plotë atëherë kur në të do të anëtarësohen të gjtha shtetet e kontinentit, përfshirë këtu edhe shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Të dy palët u pajtuan që dialogu me Serbinë duhet të sjellë paqe mes të dy vendeve, si kusht për stabilet të rajonit.