Kryeministri Kurti priti në takim Sekretaren e Shtetit të Gjermanisë

Prishtinë | 20 Dhj 2022 | 14:39 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim znj. Siemtje Möller, Sekretare e Shtetit në Ministrinë Federale të Mbrojtjes së Republikës së Gjermanisë, njëherit Zëvendësministre e Mbrojtjes.

Kryeministri Kurti shprehu mirënjohje për kontributin e çmuar që ka dhënë Republika Federale e Gjermanisë për çlirimin, pavarësimin dhe shtetndërtimin e Kosovës. Duke e falënderuar për kontributin e Gjermanisë në KFOR, kryeministri theksoi rolin dhe rëndësinë që ka KFOR-i në Kosovë.

Ai vlerësoi rolin dhe mbështetjen e Gjermanisë dhe ritheksoi rëndësinë që Qeveria e Republikës së Kosovës i kushton Procesit të Berlinit, si mundësia më e mirë për bashkëpunim mes vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor për integrim në Bashkimin Evropian.

U bisedua për mbështetjen lidhur me qëllimin e Republikës së Kosovës për përgatitje për aplikim dhe pranim në Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s,  si dhe në organizata tjera ndërkombëtare.

Sekretarja Möller vlerësoi marrëdhëniet e mira dhe të thella ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.

U theksua se vizitat e shpeshta të nivelit shtetëror i rikonfirmojnë marrëdhëniet e shkëlqyeshme mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Gjermanisë, si dhe i shërbejnë thellimit të mëtejmë të miqësisë dhe të bashkëpunimit.

Të ngjashme